Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës deklaroi se retorika e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili kundërshton formimin e shtetit të pavarur palestinez është “pranim zyrtar i armiqësisë së qeverisë së tij ndaj paqes”, shkruan AA.
MPJ e Palestinës ka reaguar ndaj deklaratës së Netanyahut se “Duhet të shtypet dëshira për formimin e shtetit të pavarur palestinez”.
“Deklaratat e Netanyahut janë pranim zyrtar i armiqësisë ndaj paqes të qeverisë izraelite, e cila refuzon të zbatojë parimin e zgjidhjes me dy shtete”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Retorika e Netanyahut i “tregon botës qëllimin e vërtetë të Izraelit i cili nuk njeh legjitimitetin ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se formimi i shtetit të pavarur palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor është “zgjidhja e vetme” për sigurinë dhe stabilitetin.
Kryeministri izraelit, Netanyahu në një seancë të afërt të Komitetit të sigurisë së jashtme të Parlamentit kishte mbrojtur idenë se janë të gatshëm të ndihmojnë administratën palestineze dhe se kjo përputhet me interesat e tyre.
Në një pyetjeje lidhur me formimin e një shteti të pavarur palestinez, Netanyahu tha: “Duhet të shtypet dëshira për formimin e një shteti të pavarur palestinez”.
Negociatat mes Palestinës dhe Izraelit u pezulluan në prill të vitit 2014 për shkak se Izraeli refuzoi kushtet për lirimin e ish të burgosurve, ndalimin e aktiviteteve për vendbanimet e paligjshme dhe formimin e shtetit të Palestinës së pavarur në kufijtë e vitit 1967, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.