Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme, një në Leposaviq dhe një rast tjetër në Graçanicë.
Një dyshuar i arrestuar për veprën penale “Dhunë në Familje” ishte arratisur mbrëmë nga qendra e ndalimit të Stacionit Policor në Leposaviq, derisa ishte dorëzuar nga zyrtarët policorë gjatë procedurës të vendosjes në dhomën e ndalimit.
Në lidhje me rastin ndaj dy zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar hetim me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Mundësia e arratisjes së personave të privuar nga liria” dhe të njëjtit me rekomandim të IPK-së janë suspenduar.
IPK-ja në datën e njëjtë para mesnatës është njoftuar nga Policia e Kosovës se i dyshuari i arratisur është lokalizuar dhe arrestuar dhe se ndaj tij kanë vazhduar procedurat e mëtutjeshme për veprën që dyshohet të ketë kryer.
Në rastin tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht i ka rekomanduar policisë suspendimin e një zyrtari policor të stacionit policor në Graçanicë me dyshimin për veprën penale, lëndim i rëndë trupor.
Nga hetimet e deritashme lidhur me këtë rast ekziston dyshimi se zyrtari policor gjatë shoqërimit në veturën zyrtare të një të dyshuari i ka tejkaluar autorizimet e përdorimit të forcës duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të rënda trupore.