Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, bëri të ditur se mund t’ua marrë shtetësinë qytetarëve që luftojnë për Rusinë në Ukrainë.
Pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi mobilizim të pjesshëm më 21 shtator, Këshilli i Sigurimit i Moldavisë u mblodh urgjentisht gjatë fundjavës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë takimit u diskutua mobilizimi i pjesshëm i Rusisë, referendumet në katër zona të Ukrainës së kontrolluar nga Rusia dhe mundësia e përdorimit të armëve bërthamore.
Në një konferencë shtypi në kryeqytetin Kishinau, presidentja Sandu njoftoi vendimet e marra nga Këshilli i Sigurimit.
Sandu tha se njerëzit në rajonin pro-rus të Transinistrisë, i cili ndodhet brenda kufijve të Moldavisë dhe shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme, do të pengohen të bashkohen me ushtrinë ruse.
Duke deklaruar se ekziston rreziku i mobilizimit të qytetarëve moldavë që jetojnë në rajonet lindore të vendit, Sandu tha: “Për të parandaluar që kjo të ndodhë, ne po analizojmë mundësinë e heqjes së shtetësisë moldave për ata njerëz (me pasaporta ruse) që luftojnë në anën e agresorit”.
Duke deklaruar se Ministria e Jashtme është udhëzuar të nisë konsultimet me Rusinë për të parandaluar shtetasit moldavë që jetojnë në Rusi të bashkohen me ushtrinë ruse, ajo tha se do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për qytetarët që duan të kthehen në Moldavi nga Rusia.
Më tej ajo tha se po punonin për dënime më të rrepta për shtetasit moldavë pa pasaporta ruse që janë në anën e Rusisë./FolDrejt/