Rrustem Mustafa ka vijuar dëshminë e tij para trupit gjykues në Gagë, shkruan Fol Drejt.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit (ZOLl), njëherësh ish zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është intervistuar nga prokurorja Clarie Lawson.
Ai është pyetur për një rast në fshatin Likoc, ku Mustafa ka thënë se kishte shkuar për të marrë Kadri Kastratin.
Ndër të tjera ai ka thënë se gjatë asaj periudhe nuk i kanë përdorur emrat e vërtetë, por emra-kode. Prokuroria është interesuar të di nëse në atë kohë është takuar me disa personalitete ushtarake të kohës, por atij nuk i është kujtuar.
Në mënyrë specifike është pyetur për Hashim Thaçin, por ai ka thënë thjesht që “Likoci ka qenë qendër e UÇK-së dhe aty ka pasur shumë bashkëluftëtarë, ka mundur të jetë edhe ndonjëri tjetër.”
Po ashtu ai është pyetur për të ndaluarit në ZOLl, e ndër ta edhe për Enver Sekiraqën, për të cilin ka thënë se ka marr vesh që është ndaluar dhe e ka vizituar vendin me disa ushtarë, emrat e të cilëve tani nuk i kujtohen.
Kjo është dita e dytë e dëshmisë së tij./FolDrejt/