Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë në largim, Ilir Meta, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp, pas vizitës së këtij të fundit në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Me këtë rast ata folën edhe për rezolutën e miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, me të cilën hidhen poshtë akuzat e Dick Maryt për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Presidentja Osmani tha se rezoluta nga Kuvendi i Shqipërisë tregon vullnetin e saj.
“Por sa i përket si akt juridik e politik, atë mund ta shfuqizojë vetëm vendi që e ka miratuar atë. Lufta e UÇK ka qenë e pastër. Kosova nuk ka çka të fsheh pasi që gjenocid ka kryer Serbia në Kosovë” – tha Presidentja Osmani, duke i vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë për t’i dalë krah Kosovës, ndërsa kjo përballet me një fushatë të egër diplomatike serbe.
“UÇK-ja ka luftuar për lirinë e popullit të Kosovës. Dick Marty ka dashur të shtrembërojë të vërteten dhe këtë ia ka konfirmuar prokurori amerikan, Clint Williamson, duke thënë se në Kosovë nuk ka pasur trafikim të organeve. Edhe prokurorët e Hagës i kanë hedhur poshtë ato gojëdhëna”, tha shtoi Osmani.
Ndërkohë ajo u pyet nëse do të vizitohen nga krerët e shtetit ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Osmani tha se me rëndësi është se çfarë mbrojtje po iu ofrohet atyre dhe jo vizitat në Hagë:
“Me rëndësi është se sa bashkëpunojmë dhe sa kanë mbrojtje kualitative dhe jo vizitat tona në Hagë. Ne nuk harrojmë se kush ka bërë presion që të miratohet Gjykata Speciale”, tha Osmani.
Ndërkohë Presidenti Meta, u shpreh optimist që ish krerët e UÇK-së do ta fitojnë procesin gjyqësor, duke ia kujtuar opinionit publik se në të kaluarën edhe ish krerë të tjerë janë shpallur të pafajshëm, në procese të ngjashme./FolDrejt/