Kosova, vendi më i ri me një histori të vjetër dhe një kulturë të pasur, ka filluar të tërheqë turistë nga mbarë bota. Takimi i parë me një vend shpesh herë të lë përshtypje tjera nga ato që ke parë në media. Për të zbuluar përshytpjet e turistëve për Kosovën, kemi biseduar me dy turistë të pasionuar nga Turqia, Mücahit Öz dhe Can Korkmaz.
Ata kanë ndarë me ne pershtypjet e tyre pas vizitave në Kosovë, ku flasin për eksperiencat e tyre në në vendin tonë, duke përfshirë vlerat kulturore, sfidat infrastrukturore dhe vlerësimin për diversitetin në këtë vend të Ballkanit, shkruan FolDrejt.
Mücahit Öz, vloger i njohur turk, tregon se ka qenë në Kosovë tri herë.
“Kam qenë në Kosovë 3 herë. Dhe qëndrova rreth 1 muaj në total”.
“Kam qenë në Prishtinë dhe Prizren. Veçanërisht Prizreni ka natyrë dhe histori të mrekullueshme. Ka shumë opsione të mira për të ngrënë dhe nuk është shumë e shtrenjtë”, thotë ai.
Përveç natyrës dhe historisë të cilat i vlerëson lart, ai është shprehur që gjëja që nuk i pëlqen është sistemi i vjetër, por kjo është logjike sipas tij, pasi që Kosova si shtet është ende i ri.
“Sistemi është në përgjithësi i vjetër. Por është një vend i ri, kështu që mund ta kuptoj që duhet kohë për të përmirësuar gjërat.”
Përshtypjet më të mira Öz i ka për njerëzit të cilët janë shumë miqësorë dhe flasin të paktën një gjuhë të huaj.
“Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të mirë në përgjithësi. Ata na ndihmuan shumë. Dhe u habita shumë që pothuajse të gjithë, nga fëmijët 10-vjeç deri te xhaxhallarët dhe hallat 70-vjeçare, flisnin të paktën një gjuhë të huaj. Kjo bëri komunikimin me njerëzit shumë të lehtë”.
FolDrejt.com ka kontaktuar edhe me turistin tjetër të pasionuar, Can Korkmaz, i cili tashmë ka një lidhje të ngushtë me Kosovën të formuar përmes vizitave përgjatë viteve. Në bisedën tonë, ai ndan disa prej pershtypjeve të tij:
“Brendë 3 vitesh, qëndrova në total 140 ditë në Kosovë. Tani jam ende në Kosovë”, tregon Korkmaz.
Edhe atij mikpritja e njerëzve, ndihma e respekti i tyre i ka bërë më shumë përshtypje se gjërat e tjera.
“Përshtypja më e mirë për Kosovën është mikpritja e njerëzve, ndihma dhe respekti i tyre, në krahasim me vendet tjera të Ballkanit.”
Ndërsa, ai ka hasur edhe në gjëra të cilat nuk i kanë pëlqyer dhe i ka disa fjalë për to.
“Standartet e shërbimit në institucionet zyrtare dhe zyrat e ndihmës janë të ulëta, dhe sistemi zhvillohet shumë ngadalë. Gjithashtu, gjuha angleze nuk është shumë e shpërndarë në tabelat e qytetit.”
“Kosova është vlerësuar si vendi më i shprehur në lëminë e diversitetit etnik dhe kulturor në Europën Lindore. Popullsia e Kosovës është shprehur me një histori të pasur dhe të thellë kulturore”, përfundon Korkmaz.
Pra, Kosova ka natyrën tërheqëse, sidomos territorin e dendur me male të bukura, alpe që janë shumë të përshtatshme për hiking. Ka histori, kulturë e diversitet. Megjithatë, duke u bazuar në këtë intervistë me dy turistët nga Turqia, sfidat e zhvillimit infrastrukturor dhe përmirësimi i shërbimeve duhet të konsiderohen si probleme nga institucionet dhe të përmirësohen për të bërë eksperiencën e udhëtimit më të përshtatshme për të huajt që vizitojnë Kosovën.
Përgatiti: Ardit Mehmetaj /FolDrejt.com