Republika Çeke mund t’i japë Ukrainës disa nga avionët e saj luftarakë L-159 për të mbështetur kundërsulmimin e saj të planifikuar, ka thënë presidenti i saj, njofton Sky News, transmeton Fol Drejt.
Praga ka qenë ndër aleatët më të vendosur të Kievit, duke ofruar një sërë pajisjesh nga municionet deri te tanket me vlerë miliarda dollarë.
L-159 është një aeroplan i lehtë luftarak i prodhimit çek, i projektuar për mbështetjen ajrore të forcave tokësore, zbulimin dhe pjesërisht edhe për misionet luftarake ajrore.
“Ia vlen të merret në konsideratë nëse ne mund t’i sigurojmë Ukrainës avionin tonë L-159”, tha Petr Pavel.
“Si avionë mbështetës të drejtpërdrejtë luftarakë, [aeroplanët] mund të ndihmojnë gjithashtu Ukrainën në mënyrë të konsiderueshme në kundërofensivë.”
Çdo vendim për dërgesat ushtarake i takon qeverisë.
Ukraina, e cila thotë se forcat e saj janë duke pritur për mot më të mirë përpara se të nisin kundërsulmin e shumëpritur, po i lutet aleatëve të furnizojnë avionë luftarakë modernë.
Sllovakia dhe Polonia i dhanë Ukrainës avionë luftarakë MIG-29 të epokës sovjetike në mars./FolDrejt/