Duke qenë se votat e disa zonave janë ende duke u numëruar, rezultatet përfundimtare mund të mos shpallen edhe për disa javë.
Partia Republikane siguroi shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, me 218 vende të fituara.
Në dy vitet e ardhshme ata do të kenë mundësinë të menaxhojnë dhomën e ulët të kongresit, ndërsa shumica në Senat apo në dhomën e lartë u sigurua nga Partia Demokratike e udhëhequr nga presidenti amerikan Biden, raportojnë agjencitë.
Biden përgëzoi republikanët për fitoren e tyre
Presidenti amerikan, Joseph Biden, ka uruar republikanët për sigurimin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dhe ka theksuar se do të bashkëpunojë me të gjithë për të mirën e amerikanëve.
“Populli amerikan dëshiron që ne të punojmë për ta.” Unë do të punoj me këdo – republikan apo demokrat – që është i gatshëm të punojë me mua për t’i dhënë rezultate njerëzve”, tha Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, shkruan Reuters, transmeton Fol Drejt.