Reshjet e borës kanë vijuar përgjatë gjithë natës në qarkun e Korçës, ndërsa kanë nisur edhe problemet e para për qarkullimin e mjeteve.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për ‘BalkanWeb’ se probleme me lëvizjen e mjeteve ka aksi Korçë-Kolonjë, në Qafën e Qarrit, ku trashësia e borës ka qene e konsiderueshme.
Ndërkohë, aksi Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë është i qarkullueshëm dhe mjetet mund të lëvizin pa zinxhirë. Mësohet se në Dardhë trashësia e borës është mbi 20 cm dhe reshjet po vazhdojnë edhe gjatë mëngjesit. Sakaq, firmat e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë natës për të mbajtur hapur të gjitha akset nacionale.