Me anë të një postimi në Facebook, Presidentja Vjosa Osmani, është kritikuar nga Rexhep Qosja, për faktin se ajo mendon se Kosova është Atdheu ynë i vetëm.
Akademiku Rexhep Qosja thotë se janë të paktë ata që mendojnë si presidentja Vjosa Osmani se Kosova është Atdheu i tyre. Por pavarësisht pozitës që ajo mban, Qosja thotë se shumica nuk do të mendojnë kurrë si ajo.
“Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme”, shkruan Qosja në llogarinë e tij në Facebook.
“Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po”, thotë Qosja.
Për të ilustruar këtë, Qosja ka prerë pjesën e fotografisë të portretit zyrtar të Presidentes aty ku shihet vetëm flamuri i Kosovës.
“Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!”, theksoi ai.