Në një program të gjatë televiziv, ish myftiu i shkarkuar, më pas që vetë dha dorëheqja, Sulejman Rexhepi, ka gjetur moment për të kritikuar lidershipin e ri të Bashkësisë Fetare Islame, duke i akuzuar kryesisht për shkelje të Kushtetutës(!) dhe keqpërdorimin e detyrave zyrtare, informon foldrejt.com.
Por ajo që ra në sy, ishte se ai vazhdon të insistojë se Burmalia Xhamia ka qenë e shitur nga Turqia dhe këtë mund ta konfirmojë edhe ish ambasadori turk në Maqedoninë Veriore. Përndryshe, siç thotë Rexhepi, “ai vetë ka luftuar maksimalisht për Burmali Xhaminë”.
Gjithashtu, ajo që ra në sy nga ky emision kontestues, ishte se Rexhepi ripërsëriti deklaratën tjetër se “Covid19 nuk ekziston” dhe se është produkt i rendit të ri botëror.
SDSM dhe BDI më kërkuan mbështetje për Pendarovskin
Më tutje, ish kreu i shkarkuar dhe më pas i ‘dorëhequr vullnetarisht’, tha se partia maqedonase SDSM dhe partia shqiptare BDI, i kanë kërkuar mbështetje për kandidaturën e Stevo Pendarovskit në zgjedhjet presidenciale. Ai tha se pranoi këtë kërkesë që vendi të anëtarësohej në NATO.
“Mund të zgjidheshin dy Steva me ato vota që sigurova unë”, tha ai duke aluduar se deshte sigurinë e vendit, kur kërkoi që myslimanët të votojnë Pendarovskin.
Por në fund shtoi se nuk ka marrë mbështetje më pas për atë “që bëri ai për ato”./Foldrejt.com