Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pritet të bëhet publik pas 48 orësh.
“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitjeje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit.
Ai tha se deklaratat para përfundimit të numërimit nuk i shërbejnë këtij procesi.
Të dielën, 3.6 milionë qytetarë të Shqipërisë, patën të drejtë që të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, e cila më pas zgjedh qeverinë që udhëheq me vendin për katër vjetët e ardhshme.
Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.
Këto janë zgjedhjet e dhjeta që nga rënia e komunizmit.