Riafirmim i ri për Maqedoninë e Veriut dhe Marrëveshjen e Prespës, të cilat ishin një nga temat e samitit të djeshëm joformal për Ballkanin Perëndimor, nën kryesimin e Angela Merkelit dhe Emanuel Makronit, ku mori pjesë delegacioni qeveritar nga vendi ynë i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev.
Takimi nuk iu kushtua procesit të zgjerimit, por bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes për zgjidhjen e kontesteve të shumta bilaterale në rajon.
“Fokusi nuk është tek zgjerimi, por tek politika e stabilitetit në rajon. Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të kontribuojmë për stabilitet, kjo për Francën do të thotë strategji për angazhim të sërishëm në rajon”, tha presidenti francez.
Në kontekst të tejkalimit të kontesteve, Makron dhe Merkel i cekën shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen e Prespës si dëshmi se me vullnet politik është e mundur të tejkalohen kontestet.
“Pamë hapa të guximshëm për kontestin për emrin e Maqedonisë së Veriut, kjo është dëshmi se është e mundur të gjendet zgjidhje për konteste shumëvjeçare”, tha Merkel dhe i përshëndeti kryeministrin e Maqedonisë së veriut dhe atë të Greqisë, por edhe Bojko Borisov.
Makron nga ana e vet porositi se muajt e fundit treguan se përparimi është i mundur njëzet vite pas luftërave në rajon.
“E pamë atë me Marrëveshjen e Prespës se mund të zgjidhen kontestet të cilat dukeshin si të pazgjidhshme kur ka përkushtim”, tha Makron, i cili gjithashtu i përshëndeti tre kryeministrat.
Paraprakisht kryeministri Zaev realizoi takim me kancelaren Merkel, në të cilin temë e diskutimit ishin mu përfitimet nga Marrëveshja e Prespës për stabilitetin, bashkëpunimin dhe paqen në rajon.
“Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës janë shembull pozitiv i Ballkanit dhe ai sukses është inkurajim për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, konstatuan bashkarisht kryeministri Zaev dhe kancelarja Merkel, dhe me atë rast e cekën rëndësinë e përfitimeve ekonomike që i sjellë bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe potencuan se bashkëpunimet e këtilla duhet të intensifikohen në tërë rajonin.
Kryeministri Zaev, sipas kumtesës nga shërbimi qeveritar për shtyp, në takim me Merkelin theksoi se bashkëpunimi, miqësia dhe reformat që i zbaton vendi janë argumente serioze për vendim pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian për fillim të negociatave gjatë verës.
Zaev në margjina të konferencës pati takim edhe me nënkryetaren e Komisionit evropian dhe përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, në të cilin dy bashkëbiseduesit u dakorduan se për stabilitetin e rajonit dhe posaçërisht për përfitimet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë pas Marrëveshjes së Prespës, është e domsodoshme vendi të mbështetet dhe të vazhdojë edhe më shpejtë në rrugën drejt eurointegrimit të pritur. Sipas Mogerinit, samiti në Berlin, mes tjerash, ka për qëllim t’i festojë përfitimet për rajonin nga Marrëveshja.
Në takimin në të cilin mori pjesë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, në përbërje të të cilit janë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ceket, u përshëndet rrethi i parë i suksesshëm i zgjedhjeve presidenciale dhe u shprehën bindje se ekzistojnë kushte për rreth të dytë të suksesshëm dhe për përmbushjen e cenzusit të nevojshëm për rrethin e dytë.
Përndryshe, një nga pikat kryesore të konferencës në Berlin ishin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Merkel shfaqi shpresë se samiti joformal do të ndihmojë për zgjidhje të kontestit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se do të nxisë që rajoni të “zhvillohet shëndetshëm”.
Në konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin morën pjesë liderët nga rajoni. Krahas, kryeministrit Zaev, pjesë e samitit ishin edhe Edi Rama nga Shqipëria, Denis Zvizdiq nga BeH, Hashim Thaçi nga Kosova, Millo Gjukanoviq nga Mali i Zi dhe Aleksandar Vuçiq nga Serbia. Në takim ishin të ftuar edhe kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, Marjan Sharec dhe Andrej Plenkoviq.