Fatos Lubonja nuk ka ngurruar t’i përmendë me emra ata të cilët krijuan ridënimin e tij në vitin 1979, duke u përpjekur ta fusin me një të ashtuquajtur “ organizatë kundërrevolucionare”, së bashku me Fadil Kokomanin, Vangjel Lezhon e një grup njerëzish të tjerë, që me këtë “organizatë” u njohën vetëm gjatë procesit të montuar gjyqësor.
Lubonja, nën kostumin e shkrimtarit, paraqet në romanin e tij dhjetëra emra në atë proces të përshkruar me profesionin më të shëmtuar që krijoi ai sistem: “dëshmitarët e rremë”. Ish-i dënuari Lubonja, nën akuzën e përhershme të atij sistemi “Për agjitacion dhe propagandë”, menjëherë pas arrestimit të të atit, Todit, i ka paraqitur, në rrëfimin e tij, dëshmitarët e rremë ashtu siç edhe janë shfaqur në atë proces: persona që kanë humbur respektin për veten dhe çdo orientim për dinjitetin njerëzor, e të zhytur në llumin e gjithë sajesave që i duhej sistemit për të krijuar grupe armiqësore. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, të akuzuarit përballë trupit gjykues, edhe pse i nxjerrin herë pas here blof të zgjedhurit si dëshmitarë të rremë, për shkak se përplasin dëshmitë e tyre të gënjeshtra, sërish procesi nuk ka asnjë ndryshim. Sepse për një sistem diktatorial, për një sistem antihuman, metoda e krimit është thjesht një procedurë.
Fatmirësisht, në rolin e dëshmitarit dhe shkrimtarit, Fatos Lubonja ka mundur që në vitet e para pas rënies së diktaturës të përshkruajë atë proces ridënimi, duke na sjellë një skaner të rëndësishëm të ligësisë që kish përfshirë gjithë mekanizmin që mbante në këmbë të keqen e madhe. Por, tridhjetë vite më vonë, edhe pse kemi dëshmi të botuara nga ish-të dënuar të ndryshëm politikë, madje edhe kemi të botuar fjalorin e torturave çnjerëzore, që vetëm duke i lexuar arrin të rikthejnë para syve industrinë e tmerrit dhe të antinjerëzores, ne sërish nuk kemi mundur të kemi asnjë proces të vetëm gjyqësor për të ndëshkuar gjithë atë praktikë çnjerëzore që diktatura përdori për bashkëqytetarët e vet.
Përballë një mungese të qartë gjyqi dhe tekstesh historie- jo për të dënuar thjesht njerëz fajtorë, por për të kuptuar zemrën e së keqes që denatyroi një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare- ne kemi një këmbëngulje për ta trajtuar të shkuarën si diçka që ka lidhje me dëmshpërblimin monetar dhe jo me dinjitetin njerëzor. Në këto tridhjetë vite kemi mundur të botojmë dhjetëra herë lista personash që dëmshpërblehen, por jo listën e madhe të së keqes dhe fabrikimin e krimit, që e gjunjëzoi shoqërinë shqiptare duke e bërë skllave të së keqes, skllave të dëshirës çnjerëzore për të poshtëruar bashkëqytetarët. Dhe sot, për shkak të mungesës së leximit të së shkuarës përmes një gjyqi të hapur, ne ndeshemi me jo pak njerëz që duken të shqetësuar se përse ende në Shqipëri diskutohet për krimet e komunizmit. Por, kushdo që mendon se po merremi më shumë se ç’duhet me të shkuarën, rrezikon të kthehet një “dëshmitar i rremë” i së ardhmes. Sepse nëse nuk guxojmë ta lexojmë të keqen që kaploi jetët e prindërve dhe gjyshërve tanë, atëherë do të jemi hipokritë me edukimin e fëmijëve tanë.
Shumë vende që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste kanë mundur që të shohin në sy vetveten. Për këtë shkak, shumë nga krimet e së shkuarës i ndihmuan që gabimet në demokraci të ishin më të kapërcyeshme. Ndërsa ne, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji. E për pasojë, rifituam servilizmin, hipokrizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbahet peng nga e shkuara. Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në Gjykata, Prokurori e për më tepër, në politikëbërje, duke i hapur rrugën së keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite. Ky është edhe “ridënimi” ynë si shoqërinjë ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.
“Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Mehmeti. Por ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë./FolDrejt/