Shërbimi i internetit është rivendosur në Jemen sot herët në mëngjes pas një ndërprerjeje katërditore. Vendi arab ka përjetuar ndërprerje masive të internetit pasi sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite shënjestruan një objekt telekomunikacioni në qytetin port Hudaydah.
Grupi Houthi kontrollon shërbimet e internetit dhe telekomunikacionit në të gjitha provincat e Jemenit, përfshirë ato nën kontrollin e qeverisë legjitime, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kompania shtetërore e telekomit është e vendosur në kryeqytetin Sanaa, ndërsa kablloja detare që furnizon internetin në provincat e tjera ndodhet në Hudaydah. Si Sana, ashtu edhe Hudaydah kontrollohen nga rebelët Houthi.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka shtuar sulmet në Jemen ditët e fundit pas një sulmi të rebelëve Houthi që vrau tre persona në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana.