Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK) ka njoftuar se është lëshuar në punë njësia B1 e termocentralit ‘Kosova B’ dhe furnizimi me ngrohja qendrore për konsumatorët e Prishtinës.
“Si rrjedhojë, sot në mëngjes, më 16 dhjetor, në ora 08:10, Termokos-i ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës”, thuhet në komunikatën për media të KEK-ut.
Edhe Ndërmarrja Publike ‘Termokos’, njofton se ka filluar furnizimi me ngrohje.
“Në orët e hershme të mëngjesit kemi filluar të marrim avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike. Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizimit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndërprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut”, thuhet në njoftimin për media të kësaj ndërmarrje, transmeton rel, përcjell FolDrejt.com.
Sipas njoftimit, deri në orët e mesditës të së enjtes pritet stabilizimi i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë.
Termokos-i të mërkurën pati ndërprerë ngrohjen për të gjithë konsumatorët në Prishtinë, për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), pas problemeve në njësinë B1 të termocentralit ‘Kosova B’.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tashmë ka paralajmëruar gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend, për shkak të çmimeve të larta të importit.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka thënë se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit nga shtetet tjera.
Kriza energjetike në botë ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit.