Shkruan Rinesë Krasniqi: Recension i librit: “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” nga Max Weber
Max Weber si djali i një politikani nacionalist-liberal e deputeti të mëvonshme, pati një jetë plotë me veprimtari. Ai ishte jurist, historian, ekonomist, sociolog si dhe dha mësim si profesor në Berlin, Fraiburg, Haidekberg, Vjenë dhe Mynih. Weber konsiderohet kudo në botë si një nga klasikët e sociologjisë dhe themelues i sociologjisë së kuptueshme (verstehende Soziologie). Në pyetsorin e zhvilluar në vitin 1998 me anëtaret e shoqatës botërore të sociologjisë ISA për dhjetë veprat më të mira sociologjike të shekullit të XX, ai ishte i vetmi sociolog me dy vepra në këtë klasifikim. Vepra e tij madhore “Ekonomia dhe shoqëria” u klasifikua në vend të parë, kurse vepra tjetër “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” në vend të katërt.
E në veprën e tij “Etika protestante dhe shpirti i kapitalzimit”, ai përpiqet të gjurmojë impaktin e asketizmit protestant, veqanërisht kalvinizmit, në ngritjen e kapitalizmit. Weber analizon se përse Kapitalizmi lindi e u zhvillua në Oksident, pra në Europë dhe në Amerikë dhe jo në Lindjen e Afërt, Azi etj. Kjo nuk është një vepër fetare por sociologjike, pasi siç thotë edhe vetë Weber-i se atij nuk i interesojnë doktrinat fetare, por i interesojnë ndikimet, efektet që doktrinat fetare patën në mënyrën e jetesës se njerëzve, e sidomos në veprimtarinë e tyre ekonomike. Studimi i famshëm i Max Weber “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit”, pjesa e parë e të cilit u botua me 1904, kurse pjesa tjetër 1905, me korrigjime e plotësime të vogla. Një vepër e pasur, diku mbi dyqind faqe, është e ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë trajton temën e Problemit, ndërsa në pjesën e dytë, Etika e profesionit në protestantizmin asketik. Përkthimi në shqip i veprës prej origjinali (gjermanisht) është bërë nga Gaqo Karakashi (2005), gjithashtu duke e krahasuar atë me botimin e saj amerikan, të përkthyer nga sociologu i madh amerikan i shek. XX Talcott Parsons.
Max Weber, veprën e fillon me disa të dhëna statistikore, të cilat pasqyrojnë dallimet e dukshme në mes popullsisë katolike dhe protestante, si brenda një shteti (psh. Gjermanisë: karakterin krejtësisht mbizotërues protestant qoftë në zotërimin e kapitaleve në gjirin ekonomik, por edhe të sipërmarrjeve moderne) ashtu edhe midis shtetesh të ndryshme. Kështu, vërehet se protestantët përbëjnë shumicën në krahasim me katolikët sa i përket pronës kapitaliste, kualifikimive profesionale, në udhëheqjen e ndërmarrjeve tregtare dhe në përgjithësi sa i përket veprimtarive fitimprurëse. Kjo dukuri mund të vërehet apo të shihet edhe nga pjesëmarrja e fëmijëve nëpër shkolla të mesme, ku katolikët (përveç në gjimnaze) janë pakicë e madhe në të gjitha degët për përgatitjet profesionale të të rinjve, e në radhë të parë për studimet teknike e tregtare.
Mirëpo, ku qëndron ky dallimi mes katolikëve dhe protestantëve mbi veprimtaritë ekonomike?
Eksistojnë fakte se protestantët qoftë si shtresë sunduese, qoftë si shtresë e sunduar, qoftë si shumicë, qoftë si pakicë, kanë shfaqur prirje specifike për racionalizmin ekonomik, e cila nuk është vënë re e as vihet re tek katolikët as në njerën dhe as tjetrën situatë. Ky dallim thelbësisht qëndron në atë se katolikët, të ndikuar nga një qëndrim asketik ndaj fitimeve materiale, në krahasim me protestantët . Me fjalë të tjera, katolikët janë tradicionalistë sa i përket punës, kurse protestantët kanë një qasje kapitaliste. Pra, katoliku është më i qetë dhe i pajisur me një instinkt të vogël fitimi, që do të thotë se ai i jep rëndësi jetë së sigurtë, pa rrezikime edhe pse me të ardhura të vogla, në krahasim me protestantin.
Në fillim të librit Etika protestante dhe fryma e kapitalizmit, Weber pranon se diskutimi i shpirtit të kapitalizmit duket pretencioz. Në fund të fundit, format e kapitalizmit (psh. kapitalizmi aventurier) kishin ekzistuar në Kinë, Indi, Babiloni dhe në botën klasike e Mesjetës, të cilat ishin ndryshe nga kapitalizmi Perëndimor, pasi kryesisht i mungonte ky etos i veqantë. Njeriu është i lidhur me fitimin duke e patur si qëllim të jetës së tij dhe jo me fitimi të jetë i lidhur me njeriun si mjet me qëllim plotësimi të nevojave të veta, ku rendi i sotëm i ekonomisë kapitaliste është një kozmos i stërmadh, ku lind individi dhe ky kozmos të paktën për individin ekzison si një guaskë faktikisht e pandyshueshme ku ai duhet të jetojë. Tani, po citojë siç thotë Weber-i:
“Kapitalzimi është një kozmos i madh në të cilin individi lind dhe i paraqitet, të paktën … si një rend gjërash të pandryshueshme në të cilën ai duhet të jetojë. E detyron individin, përderisa ai është i përfshirë në marrëdhënie tregu, të pajtohet me rregullat e veprimit”.
Vetëm me shfaqjen e kapitalizmit modern, sugjeron ai, u rrit një etikë e caktuar që lidhte drejtësinë morale me fitimin e parave. Nuk ishte vetëm se protestantët kërkuan pasuri më shumë se katolikët, por protestantët treguan një prirje të veçantë për të zhvilluar racionalizmin ekonomik. Kënaqësia e veçantë nuk ishte në paratë e nxjerra për të blerë gjëra (të cilat gjithmonë kishin nxitur fitimin e parave në të kaluarën), por në krijimin e pasurisë bazuar në rritjen e produktivitetit dhe përdorimin më të mirë të burimeve.
Mirëpo, kjo etikë kapitaliste e protestanëve nuk duhet barazuar me etjen e madhe për para apo auri sacra fames, siç e quan Weber-i.
Fitim të pamëshirshëm ka patur në të gjitha kohërat e historisë, gjithmonë kur dhe ku ky ishte faktikisht i mundur (lufta, piratëria detare etj.). Kështu, auri sacra fames është po aq e lashtë sa njihet prej nesh historia e njerëzimit, apo kjo etje për para ka ekzistuar që nga fillet e para të njerëzimit dhe nuk është fryt i kësaj epoke. Por, etika protestane është diçka e ndryshme nga kjo. Fitimin ajo nuk e vë si diçka me të cilin njeriu duhet të shërbehet për luks apo pushtet mbi njerëzit, por shumë e ndryshme nga këto, ndërrmarësi protestan i bën të gjitha ato punë me modesti, i qetë dhe duke qenë i ftohtë.
Kudo ku kapitalizmi modern filloi veprën e vetë për të ngritur produktivitetin e punës njerëzore përmes ngritjes se intensitetit të saj, ndeshi në rezistencën e fortë punës të ekonomike parakapitaliste. Kjo sepse eksistonte një korrelacion midis pagës së ulët me mëditje dhe fitimit të lartë të sipërmarrësit, ku gjithçka që paguhej për më shumë pagë të puntorit, do të thoshte pakësim përkatës të fitimit të sipërmarrësit. E këtë rrugë ka përshkruar gjithnjë edhe kapitalizmi. Që nga fillimet e tij dhe me shekuj të tërë vlente kjo teoremë se pagat e ulta janë “produktive”, dmth ato rrisin rendimentin në punë, siq e kishte thënë tashmë Pieter de la Cour:
“Sipas frymës së kalvinzmit të vjetër – populli punon vetëm pse është i varfër dhe për aq kohë sa është i varfër”.
Jeta idilike u shemb nga fillimi i luftës së ashpër të konkurrencës, ku u fituan pasuri të konsiderueshme dhe nuk u depozituan në interesa, por në biznes. Kjo ka nxitur tek ata që të fitonin më shumë. Por, ajo që ka rëndësi është kjo, se nuk është vërshimi i parave të reja që solli këtë përmbysje rrënjësore, përkundrazi ishte futur shiprti i ri, shpirti i kapitalizmit.
Beruf – zanat, profesion, shprehet ajo dogmë qendrore e të gjithave rrymave protestante, e cila nuk njeh si mjet të vetëm për të jetuar në pëlqimi me Zotin, kapërcimin e moralit shekullor me anë të asketizmit murgjëror, përkundrazi njeh kryekput përmbushjen e detyrave shekullare, siç lindin ato nga vendi i përjetshëm i punës së individit, e kjo përmbushje bëhet në këtë mënyrë “Beruf = profesioni, zanati” i tij. Te Martin Luteri zhvillohet në dhjetëvjeqarin e parë të veprimtarisë së tij si reformator. Por sido që të jetë, risitë që solli doktrina luteriane nuk kishin ndonjëfarë synimi utulitarist në kuptimin e sotëm të fjalës. Qëllimet e dogmës protestane si te Luteri, ashtu edhe Kalvinit më pas, ishin religjioze.
Në pjesën e dytë të librit, e fillon me bartësit historike të protestantizmit asketik, e që janë katër rryma kryesore: Kalvinzmi në trajtën që mori në rajonet kryesore të sundimit të tij në Europën Perëndimore veçanërisht në shekullin XVII, më pas Pietizmin, Metodizmin dhe Sektet e dala nga lëvizja pagëzore (baptiste). Asnjëra nga këto lëvizje nuk ishte krejtsisht e veçuar nga të tjerat, madje edhe veçimi nga kishat joasketike të reformacionit nuk ishte veçim i kryer rreptësisht qartë.
Për të kuptuar lidhjet midis ideve themelore fetare të protestantizmit asketik dhe parimeve të jetës së përditshme ekonomike është e domosdoshme që të afrojmë para së gjithash shkrime të tilla teologjike, të cilët dallohen se kanë hedhur shtat nga praktika e shërbesës fetare. Për t’a shqyrtuar këtë duhet të trajtojmë protestantizmin asketik si një masë të plotë. Për asketët është e dënueshme nga ana morale prehja mbi pasuri, apo e gjykojnë shumë të keqe etjen për flori, mospunën dhe ëndjen e shqisave. Gjithashtu, edhe shpërdorimi i kohës është mëkati i parë dhe në princip më i rendi nga të gjitha mëkatet, prandaj humbja e kohës duke u marrë me shoqerinë, me dërdëllisje të kalbura, me luksin, madje edhe humbja e kohës nëpërmjet gjumit më të gjatë se sa nevojitet për shëndetin është e dënueshme nga ana morale – kjo është kohë e humbur dhe mëkatare në raport me detyrat e besimtarit.
Përfundimi i Weberit është i veçantë. Weber zbuloi se nën ndikimin e feve protestante, individët u detyruan të ndiqnin një thirrje sekulare me sa më shumë entuziazëm që ishte e mundur. Prandaj, një person që jetonte sipas kësaj botëkuptimi kishte më shumë gjasa të grumbullonte para. Më tej, fetë e reja, të tilla si kalvinizmi dhe protestantizmi, ndaluan përdorimin e parave të fituara me vështirësi dhe shënuan blerjen e luksit si mëkat. Këto fe, gjithashtu ngrinin vështirësi në dhurimin e të hollave për të varfërit ose për bamirësi, sepse ajo shihej si promovuese në këtë rast.
Kështu, një mënyrë jetese konservatore, e kombinuar me një etikë pune që nxiti njerëzit të fitonin para, rezultuan në sasi të mëdha parash. Me fjalë të tjera, kapitalizmi ka evoluar kur etika protestante ndikoi një numër të madh njerëzish për t’u angazhuar në punë në botën laike, duke zhvilluar ndërmarrjet e tyre dhe duke u angazhuar në tregti dhe akumulimin e pasurisë për investime. Sipas Weberit, etika protestante ishte, pra, forca lëvizëse prapa veprimit masiv që çoi në zhvillimin e kapitalizmit.
Ajo që arrijë në përfundim të këtij libri, është se ne sot kritikojmë veten se jemi shumë shoqëri konsumatore, duke blerë dhe përdorur, në vend që të kursejmë dhe të krijojmë. Weber-i ia vlen të lexohet për t’iu kujtuar shpirti i vërtetë i kapitalizmit sepse nuk bëhet fjalë për një nxitim të çmendur për të shpenzuar dhe konsumuar, por për krijimin e pasurisë nëpërmjet përdorimit të mirë të burimeve.
Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit është një libër i pasur me burime, i cili ia vlen të lexohet, andaj edhe e rekomandoj fuqishëm që të lexohet, jo vetëm nga sociologë, por edhe nga studentët e shkencës politike dhe studiuesve në përgjithësi./FolDrejt/