Dy reparte janë rinovuar plotësisht në Institutin Special në Shtime.
Për këtë ka njoftuar vetë Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell Fol Drejt.
Ky është njoftimi i tyre i plotë:
Ministria e Shëndetësisë vazhdon përkushtimin në transformimin e çdo institucioni
Ministria e Shëndetësisë ka kënaqësinë të njoftojë se dy reparte në Institutin Special në Shtime janë rinovuar në mënyrë rrënjësore për të përmirësuar shërbimet për 60 rezidentë me çrregullime të shëndetit mendor.
Investimi i realizuar është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar mjedise të përmirësuara dhe cilësinë e shërbimeve për komunitetin tonë mendor.
Në veçanti, fokusi ka qenë te:
Krijimi i hapësirave të përshtatshme për aktivitete sociale dhe argëtim;
Renditja dhe përmirësimi i korridoreve për sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes;
Përmirësimi i sistemit të ndriçimit për të garantuar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt;
Kujdesi i veçantë për sigurinë dhe përshtatshmërinë e dyshemesë për rezidentët.
Ky investim synon të ngritë cilësinë e shërbimeve dhe të përmirësojë mirëqenien dhe trajtimin me dinjitet për rezidentët. Ministria e Shëndetësisë vazhdon përkushtimin në transformimin e çdo institucioni, pa dallim, për të siguruar mjedise sa më të mira dhe shërbime efektive për të gjithë.