Urgjente po e sheh pranimin e Kosovës në NATO, kongresmeni amerikan Ritchie Torres. Në një intervistë ekskluzive për Kanal10 ai ka thënë se me veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe rrezikun me të cilin përballet Evropa, është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në këtë organizatë. Ai ka bërë thirrje edhe tek Evropa që ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në këtë familje.
Pasardhësi i mikut të madh të shqiptarëve Elliot Engel, Ritchie Torres vazhdimisht po avokon për çështjen shqiptare në Kongresin amerikan.
Që prej kur ndodhi pushtimi rus i Ukrainës, kongresmeni Torres ka ngritur zërin për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.
I njëjti, përmes një letre i kishte kërkuar presidentit Biden të dyfishojë përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Në një intervistë ekskluzive për Kanal 10, kongresmeni amerikan nga Partia Demokratike, ka shprehur se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është urgjent.
“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ishte një thirrje për t’u zgjuar. Duke mos qenë e anëtarësuar në NATO, Ukraina ishte e hapur ndaj një pushtimi rus kështu që mësimi i marrë nga pushtimi rus i Ukrainës është që bota është ndarë në dysh: mes demokracisë dhe autokracisë. Si liderë të botës së lirë, SHBA-të duhet të mbështesin aleatët e tyre. Nuk kemi aleat më të madh në Evropën Juglindore se sa Kosovën dhe unë shqetësohem se pa anëtarësim në NATO, Kosova mund të jetë ë hapur ndaj sulmeve të Serbisë dhe Rusisë. E dijmë që vendet si Serbia, që paraqet kërcënim për Kosovën është e vendosur në anën e Rusisë e Kosova në anën e SHBA-ve andaj duhet të jetë pjesë e një ombrelle sigurie që NATO siguron”, tha Torres
Torres gjithashtu tha se Evropa e ka për obligim ta pranojë Kosovën në familjen e saj, duke bërë thirrje tek 5 vendet anëtare që ta njohin pavarësinë.
“Evropa e ka një obligim, ta njohë pavarësinë e Kosovës sepse Rusia tashmë është kërcënimi më i madh në sigurinë e Evropës dhe Evropa nuk duhet të lejojë që të intimidohet nga Rusia për të mos e njohur Kosovën si pjesë të familjes evropiane dhe familjes perëndimore. Unë shpresoj shumë që pushtimi rus i Ukrainës ka qenë një thirrje zgjimi për Evropën dhe tani Evropa mund të jetë më e ndërgjegjshme ndaj sfidave me të cilat nuk janë përballur më parë. Dhe pushtimi rus i Ukrainës bëri që të ketë një perëndim më të unifikuar, mes SHBA-ve dhe Evropës. Vladimir Putin nuk kalkuloi mirë dhe nënvlerësoi unitetin e perëndimit. Po shohim një unitet që nuk e kemi parë më herët, dhe kjo mund të jetë një bazë e fuqishme e zgjerimit të NATO-s për vende si Kosova”, deklaroi Torres për Kanal10.
Ndër të tjera, kongresmeni Torres shfaqi shpresën se brenda mandatit të tij të parë të vizitojë shtetin e Kosovës.