Carlo Ancelotti po hyn në vitin e fundit të kontratës me Real Madridin dhe pritet të largohet nga klubi pas këtij sezoni. Florentino Perez thuhet se tashmë ka filluar të mendojë për trajnerët që mund të zëvendësojnë Ancelottin dhe mediumi gjerman Bild raporton se Xabi Alonso është favorit.
Portali brazilian Globo pretendon se trajneri Carlo Ancelotti do të bëhet trajneri i Brazilit në verën e vitit 2024. Globo sjell detajet e asaj marrëveshjeje, sipas së cilës djali i Ancelottit, Davide, tashmë pritet të marrë disa funksione në Federatën e Futbollit të Brazilit dhe të përgatisë terrenin për ardhjen e babait të tij.
Edhe pse italiani ende nuk ka rënë dakord përfundimisht, në Brazil ka dëshirë për ardhjen e Ancelottit në pankinën e përfaqësueses së tyre. Komentin e tij për këtë e ka dhënë edhe futbollisti veteran Rivaldo.
“Ancelotti në stolin e Brazilit? Kjo do të ishte për historinë. Shpresoj që ai të jetë trajneri ynë i parë i huaj dhe të na çojë drejt titullit të kampionit të botës në vitin 2026”, tha ish-kampioni i botës me Brazilin dhe ish-fituesi i Topit të Artë, transmeton Fol Drejt.