Robert Wilton është shkrimtar, përkthyes dhe diplomat britanik. Në vitin 1995 ai iu bashkua Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, ku mbajti një sërë postesh, duke përfshirë si Sekretar Privat për tre Sekretarë të Shtetit ( politikanët Laburist Des Browne , John Hutton dhe Bob Ainsworth). Ai gjatë vitit 2006 u dërgua nga Britania e Madhe si këshilltar i kryeministrit Agim Çeku. Wilton ka punuar për një kohë të shkurtër edhe nën kryeministrin Hashim Thaçi. Ai gjithashtu është autor i disa romaneve të cilat janë me karakter historik, si dhe është fitues i disa çmimeve letrare. Wilton, veç tjerash, është edhe përkthyes letrar.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.Mehmetaj: Tashmë flisni rrjedhshëm shqip. Sa është gjuhë e vështirë gjuha shqipe për t’u mësuar, sidomos nëse e krahasojmë me gjuhën angleze?
R.Wilton: Shqipja, për mua është diçka e re dhe diçka unike. Por kam qenë i ndihmuar nga bukuritë e saj, nga jehonat e gjuhëve tjera, si dhe nga gatishmëria e njerezëve me më ndihmue: është ba element i bukur i zbulimit të vendit dhe kulturës. Ka ma shumë logjikë sesa anglisht!
A.Mehmetaj: Besoj keni lexuar mjaftueshëm letërsi shqipe sa ta keni një ide për tërë letërsinë tonë në përgjithësi. Cilat janë përshtypjet pozitive dhe ato negative që ju ka lënë letërsia jonë?
R.Wilton: Pozitive: Letërsia shqipe është autentike dhe njerëzore. Mendoj edhe për shkrimarët si Migjeni, me zbulimin e psikologjisë personale të tij në një mënyrë të jashtëzakonshme, dhe Spasse, qe gjeti një modernizm shqip (e kam perkthyë ‘Pse’-në për familjen e tij), edhe për shkrimtarët e ri të së sotmes, qe shkruajnë sinqerisht dhe thellë për realitetet e tyre.
Negative: Letërsia shqipe ka qenë e kufizuar – qoftë nga forma demografike, qoftë nga shtypja politike. Ky s’është problem: është aq e veçantuar. Por e kundërshtoj fort tendencën e disave me tentue me mbrojtë njëfarë shqipe të vetëshpallur si “e pastër”. Anembanë botës, përpjekjet si këto kurrë nuk kanë pasë sukses. Gjuhët (siç ka qenë në rastin e anglishtes) fuqizohen dhe lulëzohen kur levizin dhe adaptohen nëpër shekuj dhe nëpër trojet e ndryshme të re. Le të jetë shqipja e gjallë dhe jo e ngrirë.
A.Mehmetaj: Letërsisë shqipe i mungon Çmimi Nobel. A mendoni që në një të ardhme të afërt do ta gëzojë edhe letërsia jonë këtë çmim dhe çfarë mendoni për çmimet në tërësi? A janë çmime të ndikuara nga jashtë apo vlerësim në bazë të meritokracisë letrare?
R.Wilton: Natyrisht kishte me qenë triumf nëse fiton një shkrimtar shqiptar. Por kjo varet nga faktorët joletrarë: moda, politika dhe statistika (gjuhët anglisht, frengjisht ose kinezisht kanë më shumë shanse me fitue). Çmimet janë të mira si menyrë për tërheqjen e vëmendjes së huaj ndaj nesh, por mos t’i fetishizojmë.
A.Mehmetaj: Jeni edhe përkthyes. Cilat janë sfidat e përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhën angleze? Si i trajtoni fjalët, konceptet a zhargonet që në dukje të parë janë të papërkthyeshme?
R.Wilton: Rima zhvillohet shumë ma lehtë në shqip sesa në gjuhën angleze jo të rregullt! Esenca nuk është fjala përkatshme; esenca është me e kuptue shpirtin e fjalës në shqip dhe fillimisht me e përkthye atë shpirt; mandej gjetet fjala e duhur.
A.Mehmetaj: Cilat janë tri librat që do t’ia rekomandonit lexuesit tonë?
R.Wilton: Nuk guxoj! Lexo ndryshe!: dmth lexo me diversitetin e pamjeve. Mos flisni për historinë e një vendi (sidomos i yti) ose kulture, nëse keni lexue vetëm librat vendas. Shpresoj se përkthimet e mia ndihmojnë në urëndërtimin midis kulturave, por ma mirë me lexue letërsi në gjuhën origjinale. Librat: Për botën angleze “Middlemarch” (Eliot). Për botën e imagjinatës anglishtfolëse, “Moby Dick” (Melville). Për rrënjët histori-kulturore të Anglisë, “Riddley Walker” (Hoban).
A.Mehmetaj: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, a do të botoni diçka?
R.Wilton: Vazhdoj me perkthimet e rastit; puna letrare është sidomos së bashku me Bard Books. Së shpejti botohet përkthimi i Pse-së të Sterjo Spasses. Romani im i ri historik, “Bolsheviks at the Ballet”, është në dispozicion, dhe gjithashtu është libri i eseve për gratë e jashtëzakonshme ne Ballkan, “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” me Elizabeth Gowing. Jam gati në fund të një romani të ri dhe të një skenari.
A.Mehmetaj: Po dalim në një rrafsh krejtësisht tjetër. Keni qenë këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, si dhe e njihni mirë politikën në Kosovë. Si i shihni kërcenimet e fundit serbe dhe tensionin që është krijuar në veri të Mitrovicës dhe cilat mendoni që janë hapat që duhet t’i marrë Kosova?
R.Wilton: Ai në Beograd ka mësue nga zotëriu i tij në Moskë, dhe shpreson që me provokime të vazhdueshme edhe me i forcue kompromiset shtesë pafund si njëfarë shkrirje e pavarësisë sonë, edhe me e mbajtë Kosovën në një gjendje limbo të përhershme. Ndërkombëtarët nuk guxojnë me e kundërshtue (meqenëse Serbia është çmimi ma i madh për BE-në), madje kur ai shkelë marrëveshjet me ata dhe shpalljet e tyre; ata janë ba të kënaqur me status quo-n e mërzitshme, meqenëse duket si sukses diplomatik pa asnjë dridhje, derisa ata nuk mendojnë për brezat e humbur kosovarë. Kosova duhet me vazhdue me ndërtue një shtet fonksionues në vetëvete, ku serbët e Kosovës janë të mirëseardhur derisa janë me vullnet të mirë, një shtet ku qytetarët kuptojnë se korrupsioni individual është tradhtia e ma e madhe, një shtet ku energjia edhe tregtare edhe kreative çlirohen, kushdo e njeh./FolDrejt/