Marko Rojs cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj të brezit të tij në futbollin gjerman, por padyshim edhe si një nga më të pafatët. Pasi humbi Botërorin 2014 dhe Europianin 2016 për shkak dëmtimi, futbollisti i Borusia Dortmund rrezikon të humbasë edhe Katar 2022 pasi u dëmtua sot në ndeshjen ndaj Shalkes.
Në derbin e sotëm, Rojs ndrydhi kaviljen dhe u largua mes lotësh në barelë pas minutës së 30 të sfidës. Një situatë e cila shqetëson klubin por sidomos tifozët e Gjermanisë, të cilët pritnin një paraqitje të shkëlqyer nga ai në Katar, pasi po kalonte një formë shumë të mirë në këto momente.
Trajneri Terzicc konfirmoi pas sfidës se Rojs kishte dëmtuar ligamentet në kavilje, por saktësoi se shpresohej që ai të riaftësohej shumë shpejt, ndoshta para Botërorit. Megjithatë, gjërat do të mësohen më mirë pas testeve të nesërme.