Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, beson në përparimin e shpejtë të futbollit në Arabinë Saudite, ku u transferua në merkaton e dimrit, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Në një transfertë të bujshme, Ronaldo forcoi Al Nassr-in dhe u bë sportisti më i paguar i të gjitha kohërave, ndërsa tani në grumbullimin e kombëtares portugeze zbuloi se beson në zhvillimin e futbollit atje.
Ish-asi i Manchester United dhe Real Madrid tha në konferencën për shtyp para duelit të Portugalisë me Lihtenshtajnin se liga në Arabinë Saudite nuk është aq e fortë sa Premier League, por se mund të bëhet një nga më të fortat në botë.
“Arabia Saudite ka një ligë shumë konkurruese. Nuk është si Premier League, ne nuk do të gënjejmë, por jam i befasuar pozitivisht. Në pesë, gjashtë apo shtatë vjet, nëse ata vazhdojnë me planin, do të jetë i katërti ose Liga e pestë më e fortë në botë”, tha Ronaldo.
Kujtojmë se portugezi i famshëm ka shënuar 11 gola në 10 ndeshje që nga ardhja e tij në Al Nassr. /FolDrejt/