Rozafa Shpuza, e lindur në qytetin e Shkodrës, e njohur për poezinë dhe fotografinë e saj, deri më tani ka botuar librat “Kohë ikonash”, “Anipse”, “Grizhat” dhe “Nana i qindiste kryq dimnat”. Poezia dhe fotografia e Rozafa Shkodrës bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe kjo është veçantia karakterizuese e saj si autore.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.Mehmetaj: Çfarë i përbashkon poezinë dhe fotografinë, përderisa njëra shprehet me fjalë e tjetra me dritë e imazhe?
R.Shpuza: Mundem me pohue pa droje se për mue fotografia dhe poezia janë shinat ku më rrugton krijimtaria. Ato janë dy hobi tepër të dashtuna për mue dhe qysh në krye të herës kanë pasë ndikim tepër të fortë te njeni-tjetri… Pra, nji fotografi e jemja ka shumë poezi dhe anasjelltas.
Më ka rastisë që menjëherë, sapo shkrepi nji foto të ndonjë personazhi në rrugë, të ulem në nji kafe dhe të shkruej disa vargje.
Madje po ju rrëfej një sekret, që librin e radhës kam dëshirë me e botue duke ndërlidhë nji fotografi dhe nji poezi.
A.Mehmetaj: Cila e përçon më fuqishëm mesazhin, gjuha vizuale apo gjuha e shkruar?
R.Shpuza: Më pëlqen shumë me besue se fotografia asht sa 1000 fjalë, por kur ia shton edhe nji poezi mendoj se bahet ma e fuqishme dhe përcjell te publiku ndjesi dhe emocione unike.
A.Mehmetaj: Ndodh shpesh që të dëgjojmë cilësime ndaj fotografive si “fotografi poetike” ose “fotografi lirike”, çfarë thonë këto për ju?
R.Shpuza: Këto janë emërtime që secili mundohet me i përdorë në kontekste të caktuara, por, për mendimin tem, nji fotografi quhet e realizuar kur syni, shpirti dhe gishti që bën shkrepjen gjejnë ritmin perfekt. Nëse nji fotografi nuk përcjell diçka të veçantë, larg të rëndomtës apo detajeve normale që mund t’i shohin të gjithë kalimtarët, nuk zbulon nji imazh të dhënë në nji mënyrë ndryshe nga i zakonshmi, nji detaj të kapun ndoshta krejt rastësisht, por që shpreh shumë, atëherë kjo fotografi asht boshe, pa shpirt, nuk përcjell asnji emocion.
Unë vlerësoj shumë artistët e fotografisë që kanë nji kandvështrim të caktuar në krijimtari dhe dallohen për stilin e tyre. Në morinë e artistëve në botë asht bukur kur secili etiketohet me llojin e fotografisë që realizon, p.sh. artist i portretit, artist i fotografisë së rrugës, artist i peizazhit, artist i fotografisë abstrakte etj..
A.Mehmetaj: Është më vështirë të bësh një fotografi të bukur apo një poezi të mirë?
R.Shpuza: Kurrë nuk filloj të fotografoj apo të shkruaj poezi me mendimin se kjo do të jetë më e mira. Krijimtaria në përgjithësi ka lidhje me gjendjen shpirtërore të atij çasti kur fillon me shkrue apo fotografue, me atmosferën rrotull teje, me ndjesitë që të jep nji personazh që sapo ke takuar, me dukuritë atmosferike që i japin nuanca poetike krijimtarisë.
Kur krijon me shpirt, e bukura asht aty, nuk ke nevojë ta kërkosh. E bukura qëndron te thjeshtësia, te sinqeriteti, te talenti që ka artisti për ta paraqitë realitetin në nji mënyrë që i bën për vete njerëzit.
Mendoj se ka shumë randësi që ne duhet të priremi drejtë cilësisë në art dhe të krijojmë barriera të forta me pengu hymjen e antivlerave në art e letërsi.
A.Mehmetaj: Si do të ishte fotografia dhe poezia e Rozafa Shpuzës pa qytetin e Shkodrës?
R.Shpuza: Nuk e ekzagjeroj sikur të tham se nuk kishte me ekzitue. Shkodra asht tepër e pranishme në krijimtarinë teme dhe kjo asht diçka instiktive, që vjen spontanisht, pa asnji kusht. Kam jetue 25 vjet në Tiranë, por Shkodra ka vazhdue me m’tërhekë si magnet e me kenë ama e tanë figurave letrare, personazheve, rrëfimeve, detajeve, kujtimeve…
Nganjiherë mendoj se emni që më ka vu im atë, ka kenë çilsi i këtij “sekreti”… Si mundet me ekzistue nji Rozafë pa Shkodrën.
A.Mehmetaj: Tashmë në letërsinë shqipe njiheni si poete. Kur filluat të shkruani poezi për herë të parë dhe çfarë keni shkruar fillimisht?
R.Shpuza: Në fillim ka kenë krijimtari e nxitun nga mësueset e letërsisë. Kam pas botue te disa revista letrare të kohës, por krejt pak.
Poezi të mirëfillta kam fillue me shkrue ma vonë dhe kjo erdh krejt spontanisht, ndoshta edhe si ndikim nga fotografia. Gjithmonë kanë ndikue te njeni-tjetri këto dy hobe të miat. Kam botue sparit “Kohë ikonash” me proza poetike (2011), që u pasue me vëllimin poetik “Anipse” (2013), “Grizhlat” (2016) dhe, së fundi, vëllimin poetik “Nana i qindiste kryq dimnat” (2020), të gjitha me poezi në gegnisht.
A.Mehmetaj: Cila është sfida e të qenit poete e fotografe në Shqipëri në këtë kohë?
R.Shpuza: Unë gjithmonë shkruej dhe fotografoj me pasunu shpirtin tem. Krijimtarinë asht ajo që ma ban jetën ma të bukur. Ndoshta kjo ka kenë arsyeja pse kam hapë në shpinë e vjetër të prindërve nji galeri arti ku vijnë artistë nga e gjithë bota, hapen ekspozita e promovohen libra. Në qoftë se mund të quhet “sfidë”, kjo asht sfida jeme…
A.Mehmetaj: Mund t’i propozoni për lexuesin tonë tri libra që ju kanë lënë përshtypje?
R.Shpuza: Sa vështirë e kam me gjetë tre libra në morinë e librave që më pëlqejnë, veç po përqendrohem te vëllimet poetike të tre poetëve shqiptarë: Martin Camaj, Frederik Rreshpja, Xhevdet Bajraj./FolDrejt/