Zyrtarët e sigurisë në Jemen thanë se tre zyrtarë të Kombeve të Bashkuara (OKB) janë rrëmbyer në provincën jugore Abyan, shkruan AA.
“Persona të armatosur të paidentifikuar mbrëmë rrëmbyen Akem Sofiol, drejtor i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Sigurinë në Aden”, tha për AA Adel al-Awsji, kreu i Administratës së Sigurisë Lauder në provincën Abyan.
Ai tha se bashkërenduesi i zyrës së OKB-së Mohamed al-Maliki dhe koordinatori i sigurisë Mazen Bawazer u rrëmbyen gjithashtu.
Al-Awsji tha se persona të armatosur në zonën e Suwayda ndaluan një makinë me zyrtarët e OKB-së ndërsa po kalonin nëpër Aden për të vlerësuar nevojat e popullatës lokale, transmeton Fol Drejt.
Të rrëmbyerit janë dërguar në drejtim të panjohur, ndërsa kërkimi i tyre po vijon.
Deri më tani, nuk ka pasur komente nga OKB-ja apo autoritetet jemenase mbi rastin dhe asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për rrëmbimin./FolDrejt/