Ekzistonte një kohë në histori kur asnjë artist nuk ishte imun ndaj ndikimit të dizajneve islamike, shkruan Cath Pound.
Perktheu: Rrezarta Morina Marre nga: BBC Culture
Kartier dhe arti islamik: Në kërkim të modernitetit, aktualisht i ekspozuar në Muzeun e Artit të Dallasit pas një suksesi të jashtëzakonshëm në Musée des Arts Décoratifs në Paris, zbulon mënyrën në të cilën dizajnet gjeometrike të artit islam i dhanë Cartier-it frymëzimin për të krijuar një estetikë moderne novatore për bizhuteritë e bukura në fillim të shekullit XX.
Dizajnet e Cartier-it janë pjesë përbërëse e një lidhjeje të gjatë shekullore midis krijimeve artistike evropiane dhe artit islamik. Është një relacion që Olivier Haber, drejtori i Musée des Arts Décoratifs, pranon se ka qenë gjithmonë politik, me përzierjen e mahnitjes, dhunës e dominimit.
Ndonëse për shekuj vetëm tregtarët dhe diplomatët qenë të vetmit evropianë që kishin mundësi t’i vizitonin Perandoritë e Lindjes së Mesme, ardhja e epokës së kolonializimit dhe rritja e ndikimit të Perëndimit në rajon i hapi rrugë udhëtimit në shek.XIX.
Një lumë artistësh të Amerikës së Veriut dhe Evropës u dyndën në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm), Jerusalem, Kajro dhe Marrakeç. Pikturat që ata krijuan shkrinë fantazinë me realitetin, veçanërisht kur bëhej fjalë për përshkrimet e haremit, në të cilin asnjë mashkull nuk do t’i ishte lejuar kurrë hyrja, të cilat përshkruanin gratë vendase me një tjetërshmëri ekzotike që pasqyronte gjithashtu një ndjenjë epërsie perëndimore.
Por, ndonëse Orientalizmi i klishetizuar i këtyre krijimeve ishte kritikuar, pikturat sollën një audiencë më të gjerë që në kontaktin e parë me bukurinë e mjeshtërisë islamike, një fushë për të cilën dikur kishte shumë pak interesim në muzetë dhe shkollat perëndimore.
Skenat e portretizuara nga këta artistë mund të kenë qenë të pasakta, por objektet dhe artefaktet që ata përshkruanin ishin paraqitur me saktësi të madhe. Modelet e stilizuara të pllakave me lule, veçoritë arkitekturore gjeometrike, punimet e zbukuruara me metal, bizhuteritë spektakolare dhe tekstilet dhe qilimat e endur të ndërlikuar magjepsën koleksionistët perëndimorë.
Lucien de Guise organizoi Beyond Orientalism (Pertej orientalizmit), një ekspozitë në vitin 2008 në Muzeun e Arteve Islame në Malajzi, duke eksploruar ndikimin e artit islam në Perëndim. Ai tha per BBC Culture se “pikturat erdhën përpara bursës. Shumë njerëz po blejnë gjëra sepse janë të njohura dhe të kërkuara, dhe arsyeja pse ato janë të njohura dhe të kërkuara është sepse artistët një brez më parë kishin qenë në këto vende dhe sollen sasi të mëdha qilimash, armësh dhe objekte të tjera.”
Derisa koleksionistët me entuziazëm blinin origjinalet, dizajnerët i përdornin ato për t’u inspiruar. Qeramikat otomane inspiruan që të gjithë që nga William de Morgan e gjer të Villeray e Bosch, teksa vazoja delikate Alhambra inspiroi krijimin e enëve me shkëlqim prej punuesve si enëbërësi hungarez i enëve të porcelanit dhe xhamit, Zsolnay.
Tragjikisht, gjersa Perëndimi po njihej me bukurine dhe aftësitë e arteve dekorative islamike, aplikimi i këtyre mjeshtërive po kërcënohej nga vetë vendet vendëse.
Kombinimi i kolonizimit perëndimor dhe infiltrimit ekonomik e kulturor në tokat e pabanuara çoi drejt “një periudhe të letargjisë artistike dhe stagnimit ekonimik”, deklaron historiania jordaneze e artit, Wijdan Ali në një artikull të vitit 1992, të titulluar “Statusi i artit islamik në shekullin XX”. Shumë shpejt, “estetika perëndimore i mbisundoi traditat artistike indigjene”, shkroi ajo.
“Ato po e humbnin fuqinë e tyre dhe po bëheshin përherë e më perëndimore. Ata kërkonin me ngulm të modernizoheshin, dhe nuk po i kushtonin më vëmendjen gjeneratave të mjeshtërisë që ata kishin bërë gjer në shekullin.XIX”, thotë de Guise.
Por, derisa vlerësimi i arteve islamike po rritej në Perëndim, ishte ende i mbushur me interpretime klishe. Në vitin 1864 një institucion i ri, the Union Centrale des Beaux-Arts Appliqués à l’Industrie ishte krijuar nga një grup entuziastësh të dedikuar për të studiuar artin islamik.
Duke e riemëruar institucionin si The Union Centrale des Arts Décoratifs më 1882, ata u bënë element kyç në ekspozitën e parë të artit islam, të mbajtur në Pallatin e Industrisë në vitin 1893.
Kualiteti i artikujve në ekspozitë ishte i mahnitshëm, dhe dukej qartë se kishte qëllime serioze të gjurmonte historinë e artit të Lindjes, madje ta inspironte edhe kreativitetin e Perëndimit.
Sidoqoftë, skenografia orientale dhe përzierja e zhanreve nuk u vlerësua aq nga koleksionistët seriozë e të mirëinformuar.
Në vitin 1903 u organizua shfaqja e parë serioze nga një koleksionist i ri prej Luvri, Gaston Migeon. Ekspozita e tij e artit të myslimanëve “Exposition des arts Musulmans” gjeti entuziazëm të paprecedent. “Sytë e tyre nuk u hapën gjer në vitin 1903”, shkroi koleksionisti artistik Georges Marteau.
Shfaqja e Parisit e vitit 1903 u ndoq nga një ekspozitë tjetër po aq e famshme në vitin 1910, në Munih që kujdesshëm grupoi objekte sipas teknikës dhe origjinës gjeografike me qëllimin specifik të inspirimit të kreativitetit.
Kjo shfaqje mendohet se ka qenë katalizë për Loius Cartier që ta zhvillojë koleksionin e tij personal. Ai kishte një shije për manuskripte, piktura e objekte nga Irani dhe India prej shekujve XVI dhe XVII.
Prej atij momenti, arkitektura islamike, manuskriptet dhe do të bëheshin nje burim inspirimi për dizajnet e Cartierit. Që nga viti 1910, materialet dhe ngjyrat e botës iraniane do të ishin veçanërisht ndikuese, me ngjyrën e kaltër të safirit dhe të gjelbërtën të smeraldit, të shfaqura në modelin e famshëm të fazanit.
Ndonëse Cartier, pa asnjë dyshim, vuri në përdorim motive islame duke i modernizuar ato për të krijuar një estetike mbresëlënëse moderne në proces, mund të thuhet se nuk kishte asnjë artist që i shpëtoi ndikimit të dizajneve islame./FolDrejt/
Shenim: Teksti eshte perkthyer me shkurtime