Një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka bërë që të mbyllet përkohësisht qarkullimi në segmentin rrugor nga Suhareka deri në Prizren.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, me anë të një postimi në Facebook.
Durmishi ka njoftuar qytetarët se rrëshqitja ka ndodhur më saktësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit dhe siç ka thënë ai “rrjedhimisht për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim”.
“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25”, ka shtuar Durmishi, duke kërkuar nga mirëkuptim nga qytetarët./FolDrejt/