Një rrëshqitje dheu në një autostradë në Brazilin jugor ka vrarë të paktën dy persona dhe ka lënë dhjetëra të zhdukur, transmeton BBC, përcjell Fol Drejt.
Një rrëshqitje dheu ka ndodhur në autostradën BR-376 në shtetin e Paraná, duke goditur të paktën 16 automjete, thanë autoritetet.
Punonjësit e shpëtimit që ishin në vendngjarje thanë se kushtet atmosferike dhe lokacioni i largët po ndërlikojnë përpjekjet e kërkimit.
Autoritetet lokale thanë në një konferencë për shtyp se 30 deri në 50 persona mund të jenë zhdukur.
Shërbimet e urgjencës kanë lokalizuar gjashtë të mbijetuar, përfshirë kryetarin e bashkisë së qytetit bregdetar të Guaratuba, Roberto Justus.
Në një video të postuar në mediat sociale, Justus tha se ishte “i gjallë falë Zotit”, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
“Ishte e tmerrshme,” tha ai. “Mali sapo ra mbi ne. Ai fshiu çdo makinë.”
Pamjet ajrore të publikuara nga shërbimet e urgjencës tregojnë dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e dheut mbrëmjen e së hënës, e cila mori me vete një pjesë të autostradës dhe automjetet që po qarkullonin në të.
Ka shqetësime se mund të ketë rrëshqitje të mëtejshme dheu me shërbimin kombëtar të motit INMET që lëshon paralajmërime për shi të dendur për shumë shtete në Brazil. /FolDrejt/