Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës anti Covid-19, por tashmë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive kanë nisur të marrin si terapi mbështetëse, trajtimin me plazmën konvalescente.
Rreth 20 pacientë kanë marr këtë përbërës të gjakut, por infektologët thonë se ende është herët të flitet për efektet e këtij trajtimi. Ndërsa, nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ) thonë se nuk kanë rezerva të mjaftueshme të plazmës së gjakut.
Infektologu i Klinikës Infektive, Izet Sadiku thotë se në javët e fundit ka nisur aplikimi i plazmës konvalescente në këtë klinikë, por sipas tij ende është herët të flitet për efektet e këtij lloj trajtimi te pacientëve me koronavirus.
Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), thotë se deri më tani kanë rreth 300 dhurues të plazmës konvalescente, por vetëm 35 prej këtyre dozave i kanë plotësuar kushtet për përdorim.
Zhubi apeloi tek qytetarët që kanë kaluar COVID-in që të dhurojnë gjak, pasi rezervat aktuale të plazmës konvalescente nuk janë të mjaftueshme.
Drejtoresha e QKKTGJ për KosovaPress i ka treguar edhe disa nga parametrat që duhet t’i plotësojnë dhuruesit e gjakut, si dhe mënyrën e ruajtjes së plazmës konvalescente.
Kosova në janar ka miratuar Udhëzuesin për trajtim me Plazmë Konvalescente të pacientëve me Covid-19 si terapi mbështetëse.