Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon shpërndarja e vaksinës për personelin shëndetësor. Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë vaksinuar rreth 4 mijë e 300 persona, ndërsa vetëm në mesditë në këtë qendër me AstraZeenca janë imunizuar 95 mjekë dhe infermierë.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi deklaroi se ky procesi i imunizimit në Kosovë po vazhdon të shkojë pa ndonjë telashe. Ai thotë se sot do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.
“Çdo gjë deri më tani ka shkuar si më së miri, pa pasur ndonjë të veçantë që duhet të diskutohet. Aktualisht deri më tash sot janë të vaksinuar 95 persona në qendrën ‘1 Tetori’, por duke mos pasur numrin e gjeneruar nga regjionet dhe që presim në çdo moment të na përcjellin të dhënat e sakta. Por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4300 persona të vaksinuar deri në këto qaste që po flasim….Ne jem duke vazhduar vaksinimin e personelit shëndetësor privat dhe atyre të FSK-së që kanë mbetur dje pa u vaksinuar. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve prapë ngelet që mbi bazën e rekomandimit që do dal sot do jeni të informuar se si veprohet tutje qoftë me të moshuarit apo profesionistët shëndetësor”, theksoi Bardhi.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë thekson se nuk janë ballafaquar me fluks për vaksinim, por që kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në 1 mijë persona.
Meqenëse për vaksinën AstraZeneca tashmë janë ngjallur dilema, Bardhi thotë se ata që janë vaksinuar nuk kanë shpërfaqur asnjë shqetësim.
Krahas vaksinimit në qendrën e vaksinimit 1 tetori në Prishtinë, personeli shëndetësor po vaksinohet edhe nëpër komunat ku veprojnë. Kosova më 28 mars ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Ata që kanë prioritet për vaksinim me këto doza janë stafi mjekësor, të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.