Mallrat serbe me origjinë nga Serbia, kanë mbetur të bllokuara në kufirin Serbi – Kosovë, tash e disa ditë.
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për bllokimin e këtyre mallrave, erdhi fill pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës, nga forcat speciale policore e ushtarake serbe, shkruan Fol Drejt.
Nga 15 qershori, dhjetëra kamionë kanë mbetur të bllokuar në vendkalimet kufitare në Merdare dhe Jarinje. Vendimi ishte për një bllokadë totale, për të gjitha mallrat që hyjnë nga vendi fqinj, por më 21 qershor, ky vendim u zbut, duke u kufizuar te kushti që ato të mos jenë me origjinë nga Serbia.
Ndërkaq, Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka bërë të ditur se shkëmbimet nga të dyja anët janë të bllokuara në një shumë prej rreth 70 milionë euro, duke përfshirë paratë e parapaguara për produkte të bizneseve të Kosovës në Serbi.
Për RTV Dukagjinin Agim Shahini nga AKB ka thënë se vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara dhe janë të parapaguara me kompanitë serbe arrin vlerën rreth 30 milionë euro. Sipas tij, kryesisht bëhet fjalë për lëndë të para dhe produkte të gatshme, të cilat janë në pritje të futjes në Kosovë./FolDrejt/