Rajoni i Kalifornisë në SHBA ku jetojnë 8 milionë njerëz mbahet nën monitorim kundër përmbytjeve.
Në deklaratën e institucionit të Studimit Gjeologjik të Kalifornisë, theksohet se vazhdon ende rreziku i përmbytjeve në zonën ku jetojnë 8 milionë njerëz, përfshirë edhe rajonin e gjirit dhe se situatat e motit në rajon po ndiqen nga afër, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratë thuhet se që nga 30 dhjetori janë shënuar mbi 400 rrëshqitje dheu dhe se rrebeshet që vazhdojnë mund të shkaktojnë përmbytje të reja balte dhe rrëshqitje dherash në tokën e mbingopur.
Sipas të dhënave në median lokale dhe nga zyrtarët e rajonit në Kaliforni, informohet se është rritur në 19 numri i jetëve të humbura pasi edhe 2 persona të tjerë humbën jetën për shkak të stuhisë së fuqishme dhe shirave intensivë që vazhdojnë që nga 27 dhjetori.
Zyrtari i Shërbimit Kombëtar i Motit (NWS), David Lawrence, në një deklaratë të postuar nga llogaria e tij në Twitter, u shpreh se deri në fund të javës nuk presin shira dhe theksoi se “Teksa hyjnë në ditën e martë presim një mot më të qetë në pjesën më të madhe të shtetit”.
Zyra e sherifit të rajonit San Joaquin në një deklaratë për shtyp vuri në dukje se janë evakuuar rreth 175 persona që jetojnë në një park të shtëpive të lëvizshme që mbeti nën ujëra të dielën.
Në anën tjetër, në Kaliforni ku shumë vendbanime ndodhen ende nën ujë, bëhet e ditur se rrebeshet kanë vazhduar edhe të dielën.
Në deklaratën e Zyrës së Punëve Publike të Zonës Ventura, është ndarë informacioni se “mund të duhet javë madje muaj” që të pastrohen disa rrugë që janë bërë të papërdorshme në rajon për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve./FolDrejt/