(Tregimi: “Padi nga zemra”)
Ideja e katalizimit dhe rigjenerimit të përjetimeve infantile e rinore në konsolidimin e mëvonshëm të personalitetit të njeriut që nis me iniciativën frojdiste, krahas si veçori ontike, është artikuluar edhe si pjesë përbërëse e veprave letrare. Të ndikuar mbi parimet dhe komplekset nëpër të cilat rrëshqet trajtimi psikanalitik i Frojdit edhe ndër karaktere e personazhe të hershme të letërsisë botërore, shumë autorë kanë adaptuar dhe ndjekur këtë linjë soditjesh psikologjike në artikulimin e personazheve dhe situacioneve si shtyllat kruciale të arkitektonikës së tyre krijuese.
E lidhur më tepër edhe me natyrën dhe stilin e një krijimtarie të orientuar drejt primesave të një fryme gotike e një tematike horror-kriminalistikë, psikanaliza e sidomos konceptimet e Frojdit kanë influencuar thekshëm krijimtarinë e Edgar Allan Poes, duke u përdegëzuar ku më pak e ku më tepër si pjesë e pandashme e tregimeve të tij. Në vazhdën e tregimeve ku rrjeti psikanalitik kthehet në strukturën kruciale të stisjes së personazhit dhe gjithë arkitektonikës së tekstit është edhe tregimi “Padi nga zemra”.
Duke ruajtur të paprekur autenticitetin identitar me dromcat e një ambienti-kornizë ku frymon atmosfera gotike dhe në thelb natyra horror e tregimit, Poe ka rrëmuar brenda elementeve psikologjike duke ndërtuar një karakter – ide[1] brenda të cilit stiset një mozaik psikologjik që nga kataklizmat neurologjike të prezantuara si çrregullime skizofrene të personazhit, për të depërtuar brenda subkoshiencës dhe finesave reminishente si trauma nëpër të cilat ka kaluar personazhi, por që gjatë tregimit do të rigjenerohen në raportin transformues i dhunuar-dhunues.
Në thelb edhe përpara zbulimit të mekanizmave që i përgjigjen psikanalizës, situata iniciale mbi të cilën ndërtohet tregimi dhe del në skenë personazhi ndërtohet mbi një logjikë psikologjike. Reprezentimi dhe njohja me personazhin prej prizmit të një narratori autodiegjetik, reflekton dhe krijon përshtypjen e një mizanskene seance terapeutike, brenda së cilës gjithë epiqendra i kushtohet personazhit. Dëgjoni! dhe vëreni sa me qartësi, sa me qetësi mund t’ju tregoj të gjithë historinë – kjo frazë që shtrohet që në pjesën hyrëse të tregimit trason artikulimin e lirshëm të personazhit përballë një auditori hipotetikisht të një natyre psikologjike. Përballë një auditori të tillë, shfrimi i personazhit, reagimi emocional, liria dhe rrëfimi pa ndërhyrje shenjojnë njëkohësisht një depërtim në poret e reminishencës dhe subkoshiencës së personazhit. Kësisoj në mënyrë kontinuale, përgjatë sekuencave të rrëfimit dhe detajeve në dukje të parëndësishme dhe automatike për narratorin, fshihet deshifrimi mbi të cilën është koduar si personalitet dhe kësisoj ndërtohet imazhi ambig i personazhit që përfundon odisejën e vet si produkt i një traume të mundshme infantile dhe çrregullimeve neurologjike, të kthyer në një dhunues – vrasës.
Midis psikozës, subkoshiencës e reminishencave
Konceptimi se psikoza si çrregullim neurologjik dhe jostabilitet emocional është shenjuesi kyç psikologjik i personazhit, nxjerr krye që në fillim të tregimit. Dëgjoja gjithçka në qiell e në tokë.Dëgjoja shumë gjëra të ferrit.– shprehet natyrshëm dhe krejtësisht rëndomtë që në hyrje narratori autodiegjetik duke artikuluar kështu sëmundjen implicisht, vetëm si fazë paralajmëruese. Ferri dhe të dëgjuarit e ferrit që protagonisti i recepton brenda suazave të normales, janë sinjalizuesit e parë të abnornmalitetit dhe anomalive të mundshme psikike në një përceptim të drejtë të realitetit, ndaj që në hyrje personazhi-narrator artikulohet si model i dyshimtë për lexuesin. Ky model gradualisht vjen e qartësohet teksa prej sinjalizimit të derivuar nga rrafshi semantik brenda frekuencave të abnormales, kalohet në një konkretizim përmes lojës leksikore dhe veprimeve subkoshiente dhe të nxitura me automatizëm, me ç’rast edhe anomalia e sëmundjes përgjatë rrëfimit intensifikohet.
Loja leksikore me të cilën manovron Poe përmes personazhit, pavarësisht tendencave për mendjemprehtësi dhe vigjilencë, konstruktohet si mjet nëpërmjet së cilës plotësohet mozaiku i argumentimit të psikozës. Çastet ekzaltuese të shfaqura nëpërmjet pasthirrmave, vëmendja drejt detajizimeve dhe formave përsëritëse janë manifestim i momentumeve të shkurtra euforike nëpërmjet të cilave shpërfaqet më hapur një inkonsistencë emocionale dhe një brishtësi mendore si anomali.
Shprehjet si oh, me sa butësi…oh, me sa kujdes dhe ngjyrimi emocional që bartin ato janë një reflektim i mungesës së stabilitetit që shkakton sëmundja. Kalimi nëpër frekuenca të ndryshme të disponimit emocional, për më tepër edhe ndërfutja e emocioneve të një nuance më qesharake brenda zhvillimit të një çështjeje serioze të vrasjes bëhen shenjues të një çrregullimi të mundshëm nervor. Ky çrregullim vjen e bëhet më i qartë me intencën e fortë të mohimit të narratorit. Mohimi që zë vend që në krye të rrëfimit, do të shoqërohet herë pas here edhe brenda tekstit: Nervoz, shumë, tmerrësisht nervoz isha dhe jam ende; por përse do të thoni që jam i marrë? – kjo shprehje që vendoset në hapje të rrëfimit dhe që nëpërmjet formave sinonimike do të përsëritet edhe në tekst duke vënë theksin mbi sëmundjen nxjerr në pah psikën e narratorit si inferioritet mental. Nëpërmjet këtyre elementeve verbale e më pas përmes veprimeve si vendosja e karriges në vendin e krimit (shoqëruar sipas parimit dhe mekanizmit kriminalistik ku krimineli kthehet në vendin e krimit), mbi trupin e viktimës, përfaqëson jo vetëm tendencën për ta tejkaluar inferioritetin, por edhe përpjekjen që ta dëshmojë veten para tjetrit, duke tejkaluar etiketimin e të sëmurit, e të marrit për ta zëvendësuar me supremaci, guxim dhe triumf përballë tjetrit. Narratori vetë është i vetëdijshëm për anomalinë e vet psikike, por i papajtueshëm me të, ndaj pason kundërshtimi i fuqishëm instiktiv, intenca që nëpërmjet verbales a aksionares ta bindë edhe tjetrin, edhe deskripcioni detajizues i ambientit të plakut është jo vetëm një instikt që e zhvillon një person me anomali mendore dhe profil e potencial kriminalistik, por edhe një instikt mbrojtës dhe dëshmi të personazhit për ta fshehur çrregullimin mendor dhe për ta dëshmuar veten si një i stabilizuar mentalisht.
Brenda një mendësie dhe simptomave të tilla klinike zgjatohen elementet e origjinës frojdiste që këtu shfaqen nëpërmjet subkoshiencës dhe momentumeve reminishente të një periudhe të mëhershme.
E kam të pamundur të them si ka depërtuar ideja për herë të parë në mendjen time; por, pasi u konceptua, më përndoqi ditë e natë. Qëllim nuk kisha. Pasion nuk kisha…Mendoj se ka qenë syri i tij! – deklarohet narratori autodiegjetik në pjesën hyrëse të rrëfimit duke shfaqur që në fillim manifestimin e subkoshiencës. Elementi i syrit që kthehet në katalizuesin kryesor dhe shkakun në emër të të cilit kryhet krimi, bëhet edhe shenjim i një subkoshience që gradualisht e zbulon veten gjatë rrëfimit përmes evokimit të sekuencave nga e kaluara e narratorit.
Syri është shenjuesi i frikës së protagonistit, si rrjedhojë ai manifestohet si një traumë e së kaluarës dhe se sa e fuqishme është kjo traumë artikulohet në momentet e vrasjes së plakut. Është pikërisht piketimi i Syrit të Ligë që natën e vrasjes e tërbon protagonistin: Ishte i hapur plotësisht, plotësisht i hapur dhe u bëra i xhindosur kur ia ngula sytë – një pohim i tillë, për më tepër një frekuencë e tillë urrejtjeje bëhen shenja të një traume të mundshme, të akumuluar përkundër mungesës së stabilitetit mental të protagonistit. Kjo traumë, përkundër obsesionit me syrin e plakut dhe përceptimin e tij si Sy i Ligë nis artikulimin përmes reminishencave të shkurtra që ofron protagonisti gjatë rrëfimit.
Krahas syrit të ligë që manifestohet si fobia e mundshme infantile apo rinore e protagonistit, e lidhur me një përvojë tragjike apo traumatike, reminishencat reflektojnë përjetimet eksplicite të protagonistit e njëkohësisht mendësinë kriminale përmes së cilës protagonisti kërkon që edhe viktima t’i përjetojë të njëjtat tortura mbi të cilat është ndërtuar një pjesë nga retrospektiva e tij ontike. E njihja mirë atë zë. Më tepër se një natë, pikërisht në mesnatë, kur e gjithë bota flinte, ai buronte nga gjoksi im, duke shtuar, me jehonën e tij të frikshme, tmerret që më çmendnin. Ju them se e njihja mirë. E dija çfarë ndiente plaku, dhe e mëshiroja atë, megjithëse me zemër qeshja. – gjithë ky konfesion i narratorit ndërton një mizanskenë në retrospektivë brenda së cilës shkrihen traumat e protagonistit. Frika që katalizon protagonisti ndaj plakut është e njëjta frikë me të cilën është përballur dikur protagonisti, ndryshon vetëm rrafshi temporal mbi të cilin ndërrohet edhe pozicioni i narratorit autodiegjetik viktimë në rrafshin temporal të së kaluarës dhe dhunues në rrafshin temporal të së tashmes. Brenda këtij fragmenti bëhen të qarta dromca nga e kaluara e protagonistit e për rrjedhojë këto reminishenca dëshmojnë se veprimet e personazhit artikulohen dhe nxiten mbi një përvojë të deponuar paraprakisht për të cilën protagonisti është i vetëdijshëm, por jo edhe për efektet dhe influencën e saj, sepse pamundësia për t’iu kundërvënë traumës së shkaktuar nga dikush tjetër ndaj protagonistit, brenda këtij të fundit është deponuar krejt pavetëdijshëm për t’u transformuar jo në qëndrim revoltues ndaj dhunës, por në një dhunë, traumë zinxhirore të trashëguar, në këtë rast të gërshetuar sa me gjendjen mentale e po aq edhe me dromcat frojdiste. Pjesa kontrastive e mëshirës, por edhe e të qeshurës njëkohësisht, e mëshiroja atë, megjithëse me zemër qeshja është simulim tipik mbi të cilin manifestohet ideja e transformimit të viktimës në doras, e implikuar nga pafuqia infantile për t’u kundërvënë dhe nga fuqia e një fobie infantile.
Syri, zemra dhe plaku në qarkun semantik të subkoshiencës dhe frikës së personazhit
Brenda kësaj triade të përbërë nga syri, zemra dhe vetë plaku mishërohet gjendja psikike dhe maten impulse psikike e emocionale të narratorit, ashtu sikurse ndërtohet edhe vetë narratori si karakter. Të dala nga qarku frojdist dhe të interpretuara nën prizmin e çrregullimit skizofren, të tri këto elemente mund të interpretohen si simbolikë e një obsesioni që targetohen nga narratori dhe doemos kërkohet eleminimi i tyre. E zhveshur nga momentet reminishente të së kaluarës dhe e parë nga prizmi medicinal i çrregullimit psikik, syri do të mund të interpretohej më tepër si një fiksim aksidental i narratorit, që i nxitur nga jostabiliteti mendor piketohet si një territor i rrezikshëm për narratorin dhe aktivizohet instikti i mbrojtjes duke e hequr qafesh plakun pavarësisht një relacioni më të afërt apo të paktën më neutral me të. Në anën tjetër zemra, skena që ndërtohet mbi zhurmën e saj dhe reagimet krejtësisht të çrregullta dhe të frustruara të protagonistit, derivojnë dhe shpjegohen më tepër brenda suazave të sëmundjes me të cilën përshkruhet protagonisti. Tensionet, ankthi, pasiguria që e pushton protagonistin, për më tepër edhe zhurma imagjinare e tik-takeve të zemrës janë klimaksi ku del në dritë më tepër çrregullimi mental i protagonistit. Kështu, brenda kësaj triade, elementi i zemrës depërton më tepër si produkt i lidhur ngusht me sëmundjen, që ndër tjerash argumenton vetë simptomat e sëmundjes së protagonistit. Ndërkaq nën kornizat frojdiste zemra do të mund të interpretohej si pjesë e ndërgjegjes, e lidhur ngusht me superegon që censuron dhe nxjerr vetëdijen e protagonistit për idin dhe konsekuencat e tij e që në tregim përfaqësohen nëpërmjet vetë krimit si konsekuencë e nxitur nga urrejtja ndaj syrit të ligë, siç e koncepton personazhi.
Mbi këtë logjikë dhe prej një rrafshi psikanalitik, syri, plaku dhe zemra si tri simbolika mbi të cilat konstruktohet gjithë arkitektonika dhe mizanskena e vrasjes në të vërtetë mund të merren si një lloj sinonimie e triadës frojdiste id-ego-superego, ku derisa syri dhe zemra qëndrojnë të përputhshme dhe të identifikueshme me binomin kontradtiv id-superego, plaku mbetet neutralja, ai është më tepër një simbolikë e kufirit ku lëkundet psika e protagonistit-narrator herë midis idit e herë superegos. Plaku është realiteti, mesi, neutralja, ndaj edhe deskripcioni dhe përshtypja me të cilën narratori e ndërton si figurë, nxjerr në pah një figurë të prekshme, reale, të identifikueshme me suazat normale që shpërfaq koncepti i egos.
Më i thellë dhe i shpjegueshëm brenda konturave frojdiste qëndron simboli i syrit. Syri, përshkrimi i të cilit në tregim merr një natyrë gati-gati demoniake, në kuptimin më të thjeshtë semantik është shenjim i të pamurit, mirëpo i ndërfutur në mekanizmat psikanalitike dhe sipas mënyrës si situohet në tregim, del konsekuencë e mundshme e disa drejtimeve: sy i një personi me të cilin lidhet një përvojë dhune ndaj protagonistit në periudhat e hershme infantile – në këtë mes nuk përjashtohet një acarim raportesh atë-bir nisur jo vetëm nga referencat frojdiste mbi këtë tip marrëdhëniesh familjare, mirëpo edhe nga referencat që jep teksti, është vetë protagonisti që bashkëndien me frikën e plakut duke vënë theksin se po të njëjtën frikë e kishte ndjerë dikur vazhdimisht, e që i referohet pikërisht evokimit të një skene të dhunshme familjare të përjetuar nga vetë protagonisti. Po kjo referencë e dalë nga personazhi shtron hipotezën e një përvoje rrëmbimi, aq më tepër edhe hyrjet-daljet e kujdesshme dhe vigjilente të protagonistit mund të interpretohen si elemente të lidhura me një rrëmbim të mundshëm. Në kuptimin më të thjeshtë dhe e lidhur me vetë denotativen e syrit – syri që këqyr, syri që vëzhgon, simbolika e syrit mund të interpretohet edhe si një mbikqyrje, vëzhgim me intencë të shkeljes së privatësisë. Në të gjitha këto variante, është e sigurt se syri përfaqëson zonën brenda së cilës përhumbet siguria dhe konfidenca e protagonistit, brenda hapjes së syrit protagonisti lundron krejt pavetëdijshëm nëpër të kaluarën, kthehet në kufijtë e një përvoje të pakënaqshme dhe bezdisëse, ndaj me automatizëm, gjithë akumulimi i pakënaqësisë së dikurshme rigjenerohet si urrejtje ndaj tjetrit, jo plakut si individ, mirëpo reminishencave që e lidhin me të kaluarën, e që në rastin e narratorit, këto përvoja që zhvillohen brenda kornizave të një çrregullimi neurologjik çojnë në paraqitjen e krimit.
Depërtimi brenda fazave identitare psikologjike të personazhit: ndërtimi i egos – narcizmi dhe destruksioni
Karakteri që ka ndërtuar Poe brenda këtij tregimi është prototipi në të cilin depërtohet brenda rrjetit psikologjik të vrasësit si rezultantë jo vetëm e çrregullimeve psikologjike, por edhe e komponenteve universale që hyjnë në psikën e individit. Poe duke ndryrë mekanizmat psikologjike brenda këtij personazhi, ka depërtuar nëpër të gjitha fazat e individit duke ndërtuar një model gati universal psikologjik që derivohet në ambientet kriminalistike.
Me gjithë lajthitjet, ekzaltimet, frustrimet me origjinë sa nga sëmundja e sa nga rigjenerimet infantile e rinore frojdiste, tregimi përcjell odisejadën gjer në rënien emocionale dhe dorëzimit përballë krimit të protagonistit, duke ndërtuar njëherësh jo vetëm një model psikologjik, por edhe një lojë psikologjike brenda së cilës bie me vetëiniciativë protagonisti.
Odisejada psikologjike që nis si mohim i sëmundjes përkthehet si ndërtim i egos së protagonistit dhe brenda kësaj egoje, Poe përcjell dy fazat kruciale psikologjike: narcizmin si triumf ndaj tjerëve dhe destruksionin si rënie e plotë emocionale dhe psikologjike e protagonistit.
Faza psikologjike e narcizmit nis nga paraqitjet detajizuese të ambientit, si një dëshmi e vigjilencës së protagonistit. Aftësia memorizuese e veprimeve të veta, ritmi i ngadaltë me të cilën bëhet rrëfimi dhe kujdesi ndaj hollësirave të panevojshme sinjalizon fillin e një vetëkënaqësie të narratorit me veten dhe triumfin ndaj auditorit. Ky fill vetëkënaqësie intensifikohet në momentin e krimit: Një çast e hoqa zvarrë në dysheme dhe i përmbysa shtratin e rëndë përsipër. Atëherë buzëqesha gëzueshëm, puna deri tani kishte shkuar mbarë. – shprehet narratori vetëkënaqësia e të cilit gradualisht përkthehet si gjakftohësi, që argumentohet jo vetëm me buzëqeshjen e paraqitur, mirëpo edhe me gjakftohtësinë me të cilën tregon procesin e dekompozimit të viktimës. Para së gjithash i hoqa gjymtyrët kufomës. I preva kokën, krahët dhe këmbët. – qetësia emocionale, frekuencat normale të përshkrimit dhe shpërfillja që e karakterizon protagonistin edhe në procesin e krimit e gjatë rrëfimit njëkohësisht shenjon një shestim në psikologjinë e vrasësit që mohon krimin e kryer duke e arsyetuar si eleminim, tjetërsim të rrezikut dhe si kënaqësi të egos. Fragmenti ku protagonisti shprehet se Syri i tij nuk do të më shqetësonte më kurrë është dëshmia ku gërshetohet satisfaksioni i triumfit, për më tepër brenda këtij fragmenti shtrihet edhe mungesa e vetëdijes, ndërgjegjes dhe fajit që mungon. Narratori nuk ndihet fajtor, përkundrazi skena e komunikimit midis tij dhe oficerëve, të ulurit mu mbi dërrasat ku ndodhej kufoma e plakut shfaqin klimaksin ku ngrihet narcizmi i kriminelit. Përmes një skene të tillë, Poe rrëmon në brendësinë psikike të narratorit fajtor për krimin duke aktivizuar sërish sistemin e vetëkënaqësisë së protagonistit, por një vetëkënaqësie në harxhim, që pasi ka arritur klimaksin nis lëkundja emocionale. Si rrjedhojë, stabiliteti psikologjik i protagonistit i prezantuar gjatë gjithë rrëfimit si vetëbesim, kthehet në frustrim, histeri emocionale dhe panik. Si në rastin e Raskolnikovit, presioni psikologjik i protagonistit e dorëzon vetë protagonistin, ëshë pika ku aktivizohet shkurtimisht simbolika e zemrës si superego që sulmon idin dhe narcizmin e protagonistit. Narratori vetëdorëzohet, nuk duron lojën psikologjike, paragjykimet dhe si rrjedhojë pason vetëkonfesioni i krimit. E veçantë është mënyra me të cilën Poe e jep momentin e konfesionit nga protagonisti, e që pavarësisht krizës psikike, me konfesionin protagonisti përpiqet të nxjerrë një akt tjetër triumfi. Frika nga inferioriteti, paranojat se policët veçse kanë njohuri mbi krimin e kryer ndërkohë që e kanë shndërruar në objekt talljeje protagonistin është më e rëndë për protagonistin se sa vetë akti i krimit dhe i ndëshkimit. Edhe këtu nxjerr krye sërish përvoja infantile frojdiste me ç’rast një individ që i është nënshtruar dhunës, për më tepër kur i shtohen edhe anomalitë e mundshme neurologjike, në një kohë të mëvonshme përfton një sistem paranojak e për më tepër zhvillon një instikt mbrojtjeje edhe ndaj akuzave verbale. Ndaj, paranojave të oficerëve protagonisti u përgjigjet me vetëdorëzim si satisfaksion ndaj vetes për një krim të përkryer pavarësisht konsekuencave dhe si një triumf ndaj të tjerëve. Destruksioni emocional dhe psikik i protagonistit paradoksalisht për protagonistin manifesohet si akt glorifikimi. Gjithë rrjeti emocional që e përshkruan Poe, në gërshetim edhe depërtimin në të kaluarën dhe psikologjinë e personazhit, ofron një model gati universal nëpër të cilin shpaloset psikologjia e një vrasësi.
Çfarë frekuence kap influenca biografike e Poes në tregim?
Në tregimet me bazë psikologjike, rëndom është edhe vetë finesa biografike e autorit që gërshetohet dhe katalizon krijimin e imazheve e simboleve në tregim. Pavarësisht pretendimeve se një korpus tregimesh të Poes janë frymëzuar nga vrasjet reale, në mesin e të cilave edhe ky tregim, edhe jeta turbulente e këtij autori është shndërruar në një element motivues për krijimin e simbolikës kryesore të tregimit – syrin e ligë.
Krahas gjasave hipotetike që “Padi nga zemra” të jetë frymëzuar nga disa raste kriminale të jetës reale, ravijëzimi dhe depërtimi në biografinë e autorit nuk flet për referenca eksplicite mbi të cilat mund të jetë ndërtuar karakteri i vrasësit dhe të jetë frymëzuar vrasësi, mirëpo disa prej rrethanave biografike dhe konditave mbi të cilat ndërtohet teksti frymëzohen. Abuzimi me substancat narkotike e alkoolizmi që konsiderohen edhe ndër shkaqet e vdekjes së mistershme të Poes, mund të shihen si një lloj ndërlidhjeje me anomalitë mentale dhe shpesh ambientin-delirium të cilin e ka krijuar autori në tregim. Frustrimi, mungesa e stabilitetit emocional, euforia dhe emocionet e pakontrolluara që e karakterizojnë protagonistin, hipotetikisht mund të vihen në relacion qoftë edhe implicit me gjendjen-delirium të autorit.
Ndërkohë, krahas përgatitjes së ambientit, mund të vendoset një lidhje hipotetike edhe midis simbolikës së syrit dhe turbulencave infantile e rinore të Poes. Informacionet biografike të autorit që tregojnë një varg fatkeqësish në gjirin familjar që nga përballja me mungesën e figurës së nënës (kur dihet influenca që kjo figurë sipas Frojdit përçon në individin), pastaj mungesa atërore për shkak të braktisjes nga i ati dhe konfrontimet e herë pas hershme me prindërit adaptues bashkë me fatkeqësitë e jetës në dimensionin erotik mund të jenë akumuluar si fatkeqësi, ndrydhje shpirtërore e traumë rinore për autorin, ndaj momentumi i urrejtjes dhe luftës së protagonistit ndaj syrit të ligë në mënyrë simbolike paraqet luftën pasive të Poes ndaj fatit të ligë. Fatkeqësia jetësore ka katalizuar kështu një figurë brenda të cilës shprehet gjithë tendenca e autorit për urrejtje, edhe me vetë aktin horror të copëtimit të viktimës, që mund të interpretohet si një mëri ndaj botës dhe një ekzaltim, triumf edhe i vetë autorit.
Syri i Ligë kësisoj identifikohet me fatin e ligë, bëhet akumulues simbolik, figura simbolike ku përmblidhen fatkeqësitë e autorit dhe ndaj edhe vrasja e plakut (syrit) prej protagonistit mund të interpretohet edhe si një revoltë simbolike e Poes ndaj turbulencave jetësore.
Krahas frymëzimit parcial ose jo nga autori, me formën e konfesionit prej një narratori autodiegjetik, ravijëzimin nëpër një varietet emocionesh, ndërfutjen e njohurive dhe mekanizmave psikologjike të argumentuara nëpërmjet lojës me mjete gjuhësore, Poe ka ndërtuar një model pantemporal që ofron një rrugëtim dhe njohje se si funksionon psika e një prototipi të caktuar – karakterit të vrasësit, për më tepër se si krejt pavetëdijshëm, njeriu krijon një figurë, ku deponohet gjithë mllefi, urrejtja dhe tërbimi prej fatkeqësive të jetës.
[1] Përdorimi i këtij termi i referohet mendimit që brenda këtij tregimi karakteri dhe ideja dalin të përputhur me njëri-tjetrin, është karakteri përmes së cilit prezentohet gjithë ideja e tekstit, sepse në thelb karakteri është forca centrifugale, pika qendrore mbi të cilën ndërtohet gjithë tregimi dhe ideja e tregimit./FolDrejt/
Rrezarta Morina