Përballë rrezikut të urisë, Koreja e Veriut bëri një rishikim në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas lajmeve të uebsajtit NK News, në lajmin e publikuar në organin zyrtar mediatik të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut, Rodong Sinmun, thuhet se Komiteti i Përhershëm i Asamblesë së Lartë Popullore (SPA) më 21 janar ka marrë një vendim për një ndryshim të politikës bujqësore.
Sipas këtij rishikimi, Ministria e Bujqësisë në vend u shndërrua në Komisionin e Bujqësisë, duke i dhënë përparësi politikës ushqimore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Përgjegjësia për rishikimin iu besua edhe kabinetit dhe “organizatave përkatëse”.
– Rreziku i urisë
Koreja e Veriut, e cila u ndikua negativisht nga kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe fatkeqësive të përmbytjeve që ndodhën në fund të vitit 2020, është në rrezik të mungesës së ushqimit.
Më 22 tetor 2021, raportuesi special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, Tomas Ojea Quintana bëri thirrje për lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Phenianit për shkak të rrezikut të urisë.
Duke deklaruar se masat e ashpra të marra nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un për shkak të pandemisë izoluan vendin dhe njerëzit u privuan nga nevojat themelore, Quintana paralajmëroi se rreziku i urisë do të rritet për sa kohë që kufijtë mbesin të mbyllur.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka vendosur sanksione ekonomike dhe ushtarake ndaj Koresë së Veriut që nga viti 2006 për shkak të programit të saj bërthamor.