Në vitin 2018 një baba nga Kanada u informua që në një spital po fillonte administrimi i medikamenteve për ndryshimin e hormoneve tek vajza e tij. Sipas një ligji kanadez të miratuar së fundmi, doktorët mund të administrojnë këto drogëra tek fëmijët pa pajtim prindëror. Kur babai kanadez kundërshtoi idenë, u gjobit me 30,000 dollarë…
Nga Imer Topanica
Matt Walsh (1986), me dokumentarin e tij «Çfarë është një grua?»; ka shokuar opinionin publik botëror pasi ka identifikuar tendencat perverse të jetësuara nëpërmjet një inxhinieringu propagandistik, e të cilat rezulton se po i shërbejnë një industrie shumë profitabile. Historia që e treguam në fillim, është vetëm njëra prej shumë të tjerave të rrëfyera në këtë dokumentar…
«Çfarë është një grua?» nuk u lejua të shfaqet në mediat mainstream, e madje edhe në rrjetet sociale, me përjashtim në Twitter, ndonëse edhe këtu kishte disa kufizime. Por kjo i mjaftoi të merrte vëmendjen e duhur, e madje të bëhej shumë i kërkuar.
Walsh kërkon përgjigje për pyetjen që, që në krye të herës tingëllon e thjeshtë dhe e qartë: çfarë është një grua?
Mjekë, psikologë, sociologë dhe specialistë të ndryshëm të involvuar në industrinë shëndetësore e cila thirret në ofrimin e shërbimit për shndërrimin e gjinisë së personave të cilët nuk ndihen komod me identitetin e tyre gjinor natyral, s’arrijnë të japin jo vetëm përgjigje të thjeshta, por pothuajse mbesin pa fjalë fare.
Ndërsa rrjedh ngjarja, vetëdijesohemi për faktin se si në literaturën shkencore po provohet të imponohen përdhunshëm idetë e Alfred Kinseyt dhe John Moneyt: që gjinia dhe seksi, janë kategori të ndryshme, të cilat nuk mund të ngatërrohen, e as ta determinojnë njëra tjetrën. Thënë më qartë, nëse një burrë ndihet grua, kjo nënkupton që identiteti i tij nuk përcaktohet duke u mbështetur në konstruktin e tij biologjik, por në atë se si ndihet. Prapa këtij konstatimi krejt të pabazë, ose thënë me gjuhë e cila mund të cilësohet si “politikisht jokorrekte”: krejt të çmendur, sipas dokumentarit, del të qëndrojnë grupe të fuqishme të interesit. Shkurt, industria e ndërrimit të gjinisë është shumë profitabile, andaj kërkon “dele” që vuajnë për shkak të krizës së identitetit gjinor, e të cilat besojnë se janë “desh”, ose anasjelltas.
- Sperma mashkullore, është ajo që më bënë mua mashkull? – e pyet ai Michelle Forcier, një pediatre të involvuar në industrinë e ndërrimit të gjinisë.
- Jo, sperma jote nuk të bënë mashkull… – ia kthen ajo, për t’u zhytur në një diskutim pa epilog.
- Atëherë çfarë? – vijon Walash.
- Është një konstalacion…
- Në realitetin e vërtetë, ok?
- Për cilën të vërtetë po flasim?
- Për të njëjtën të vërtetë e cila thotë se ne të dy ndodhemi të ulur në karriget tona brenda kësaj dhome.
- Jo ti nuk po më dëgjon.
- Nëse e shoh një pulë që është duke e bërë një vezë dhe them se kjo është femër, ia kam përcaktuar gjininë, apo thjesht po kundroj një realitet fizik që po ndodh?
- A ka pula identitet gjinor? A qanë pula? A bënë vetëvrasje pula?
- Le ta kornizojmë. Sepse po flet…
- Pula ka seks si çdo organizëm biologjik.
- A ka pula një gjini të caktuar? Pula nuk ka identitet gjinor.
- Ne i përcaktojnë si femra pulat që bëjnë vezë.
- Ne supozojmë se ato janë femra që bëjnë vezë.; – provon ta përfundojë argumentin me një gjuhë krejt jologjike profesoresha.
Me këso lloj bisedash është i mbushur dokumentari. Për sa herë Walash insiston në kërkim të përgjigjes për pyetjen: çfarë është një grua?; për aq herë komplikohen gjërat.
Ai përballet me gra, me burra, me aktiviste, me pjesëtarë të LGBTIQ+, e madje shkon edhe në Afrikë. Në fund gjen ata që e kanë provuar në lëkurën e tyre këtë “inovacion” shkencor. Një ndër viktimat e kësaj propagande konfirmon se ajo/ai tek pas përfundimit të dhjetëra operacioneve kirurgjike, përpjekjes për mirëmbajtjen e balancit shëndetësor nëpërmjet hormoneve, bllokuesve të hormoneve, antibiotikëve etj, etj, e ka kuptuar që është ishte bërë pre e industrisë.
Miriam Grossman një psikologe dhe mjeke, e cila ndodhet në taborin e atyre që e kundërshtojnë këtë çmenduri, konstaton se të gjeturat dhe eksperimentet e Alfred Kinseyt dhe John Moneyt, në të vërtetë, kurrë nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Sipas saj, rastet e tyre ishin dështime katastrofale…
Kuptohet ky trend global i përçudnimit shoqëror ka filluar ta afektoj edhe shoqërinë tonë. Falë Zotit, “infeksioni” nuk është shtrirë në përmasat e krizës identitare gjinore prej të cilës po vuan shoqëria amerikane, por e keqja është se edhe këtu ka filluar. Rol thelbësor në kuptimin e preventivës ndaj kësaj çmendurie, luan vetë kultura jonë, e në kuadër të kulturës, feja jonë. Kjo e fundit na edukon që t’i kontrollojmë epshet tona, të ngrihemi nga niveli kafshëror, në at njerëzor.