Të paktën gjashtë oficerë ushtarakë pakistanezë, në mesin e të cilëve dy majorë, kanë humbur jetën në një aksident me helikopter në provincën Balochistan, në jugperëndim të Pakistanit, njoftoi ushtria.
Ministria e Mbrojtjes e Pakistanit në një deklaratë njoftoi se helikopteri u rrëzua të dielën në mbrëmje gjatë një misioni stërvitor pranë Khost në qarkun Harnai, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit, përfshirë dy pilotë, dhanë jetën e tyre si dëshmorë”, thuhet në deklaratë.
Ky është aksidenti i dytë i tillë në provincën Balochistan në dy muajt e fundit.
Muajin e kaluar, gjashtë oficerë të rangut të lartë të ushtrisë, duke përfshirë komandantin e Korpusit të Quetta-s, gjenerallejtënant Sarfraz Ahmad, humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit të tyre gjatë një operacioni ndihme në zonat e përmbytura./FolDrejt/