Çmimet e naftës u rritën pas vendimit të Arabisë Saudite për të rritur çmimet e naftës së papërpunuar për shitjet e saj në korrik, duke rritur shqetësimet për furnizimin, megjithëse grupi OPEC+ premtoi një rritje të kufizuar të prodhimit.
Nafta e papërpunuar Brent u tregtua me 120,38 dollarë, duke shënuar një rritje prej 0,55 për qind pas mbylljes së seancës së mëparshme me 119,72 dollarë për fuçi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate u tregtua për 119,53 dollarë për fuçi, gjithashtu duke shënuar një rritje prej 0,55 për qind pasi seanca e mëparshme u mbyll me 118,87 dollarë për fuçi.
Arabia Saudite, eksportuesi kryesor i naftës në botë, rriti çmimet e naftës për klientët e saj aziatikë pasi disa ekonomi në rajon hoqën kufizimet e koronavirusit, duke vënë presion mbi çmimet e ofertës në kohën e rritjes së kërkesës në rajon kundrejt ofertës së kufizuar.
Vendimi i Arabisë Saudite erdhi pasi grupi 23 anëtarësh OPEC+ ra dakord të rriste furnizimin e tij me naftë me rreth 50 për qind nga korriku, duke e çuar çmimin e naftës Brent në mbi 120 dollarë për fuçi.
Të enjten, ministrat e grupit OPEC+ vendosën të shtojnë 648.000 fuçi naftë në ditë në korrik dhe gusht, nga 432.000 fuçi sa ishte në muajt e fundit.
Duke lehtësuar shqetësimet e furnizimit, Iraku njoftoi se prodhimi i tij i naftës do të arrijë në 4,58 milionë fuçi në ditë në korrik dhe gusht.
Ekonomia Irakiane është shumë e varur nga eksportet e naftës bruto, të cilat sigurojnë më shumë se 90 për qind të të ardhurave të vendit.
Mungesa e ofertës vjen pasi tregu përballet me kërkesë të fortë në shumicën e rajoneve kryesore, tha strategu i mallrave të Grupit Bankar të Australisë dhe Zelandës së Re (ANZ), Daniel Hynes./FolDrejt/