Valës së shtrenjtimeve, përveç energjisë elektrike dhe produkteve tjera në këtë kohë i është shtuar edhe rritja e tarifave të ujit nga Autoriteti Rregulltiv i Ujit (ARrU).
Zëvendësdrejtori i ARrU-së, Abedin Azizi gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi lidhur me planin e performancës për vitin 2022 të këtij autoriteti ka bërë me dije se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka shtrenjtuar tarifat rreth 0.3 cent.
Sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur edhe në komunat të tjera, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
“Sa i përket çështjes së tarifave, në katër kompani regjionale nuk janë ngritur ose është ngritur çmimi për 0.1 cent për një metër kub uji, që do të thotë se një familje që konsumon 20 metra kub uji, ndryshimi i tarifës është 0.20 cent. Kemi dallim pak më të madh ose rritje pak më të madhe të tarifave në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Prishtinë. Kjo për arsye të futjes në operim të impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Në Prishtinë e kemi ngritur tarifën për 0.2-0.3 cent për shkak të shpenzimeve për blerje të ujit me shumicë”, ka thënë Azizi.