Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Federata e Shoqatave të Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) njoftuan se numri i të zhdukurve nga përmbytjet në Libi ka shkuar në 10 mijë.
Kreu i Delegacionit të IFRC-së për Libinë, Tamer Ramadan, duke u lidhur online në konferencën javore për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë, vlerësoi zhvillimet rreth përmbytjeve që ndodhën në Libi, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Duke theksuar se shumë njerëz janë prekur nga fatkeqësia e përmbytjeve në lindje të vendit, Ramadan tha se ka nevoja urgjente në Libi.
Ramadan tha se numri i të zhdukurve në vend është rritur në 10 mijë për shkak të fatkeqësisë nga përmbytjet dhe se këtë informacion e kanë siguruar nga burime të pavarura.
I pyetur nga Anadolu për të konfirmuar raportimet që thonë se numri i të vdekurve nga përmbytjet ka shkuar në 3 mijë, Ramadan nuk dha një shifër të saktë, por vuri në dukje se vdekjet nga përmbytjet mund të shprehen në mijëra./FolDrejt/