Numri i të vdekurve nga shirat e dendur dhe përmbytjet në shtetin verilindor Bahia të Brazilit, të hënën vonë është rritur në 26, me 715.634 persona të prekur nga fatkeqësia natyrore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Observatori lokal i Mbrojtjes Civile në një deklaratë theksoi se 26 persona kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të vazhdueshme që nga nëntori, ndërsa numri i të lënduarve ka arritur në 518.
Më tej thuhet se 30.915 njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre dhe 62,731 janë evakuuar.
Përveç kësaj, 166 qytete janë prekur në shtet, ku jetojnë mbi 15 milionë banorë, thuhet në deklaratë, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në 154 qytete.
Të paktën 37 qytete në Bahia jugore u zhytën në ujë plotësisht si pasojë e përmbytjeve.
Guvernatori i Bahia, Rui Costa, tha se shteti u godit njëkohësisht nga COVID-19 si dhe nga fatkeqësia natyrore dhe të gjitha vaksinat dhe mjekimet në disa qytete janë bërë të papërdorshme.
Më 1 janar, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, njoftoi se ka miratuar 700 milionë realë brazilianë (125,6 milionë dollarë) si hua ndihme për zonat e prekura nga përmbytjet.