Si pasojë e rrjedhjes së gazit në rrjet në qytetin Ravanusa në jug të Italisë numri i personave që humbën jetën nga shpërthimi ka shkuar në 7, transmeton Fol Drejt.
Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet e kërkimit për ata që mbetën të bllokuar nën rrënoja pas shpërthimit në mbrëmjen e 11 dhjetorit për shkak të një rrjedhjeje në rrjetin e gazit natyror në qytetin Ravanusa në provincën Agrigento në ishullin e Sicilisë.
Brigada italiane e zjarrfikësve, në një deklaratë në rrjetin social Twitter, njoftoi se pas më shumë se 30 orësh përpjekjesh pa ndalesë shpëtimi, u gjetën trupat e pajetë të 4 nga 6 personat e zhdukur. Sipas kësaj numri i personave që humbën jetën nga shpërthimi u rrit në 7 dhe mësohet se mes atyre që humbën jetën ishte një grua shtatzënë.
Më tej thuhet se kërkimet për 2 personat e zhdukur vijojnë nga ekipet.
Nga shpërthimi u dëmtuan rëndë rreth 6 ndërtesa dhe më shumë se 100 persona u evakuuan nga zona.
Zyrtarët e kompanisë Italgas përgjegjës për rrjetin e gazit pohuan se nuk ka pasur rrjedhje gjatë kontrolleve rutinë në vendin e shpërthimit. Nga ana tjetër, zjarrfikësit kanë deklaruar se gazi ka gjetur një boshllëk për t’u grumbulluar në këtë zonë dhe më pas ka ndodhur ky shpërthim i madh kur e ka prekur ndonjë ashensor apo pajisje shtëpiake.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i telefonoi kryetarit të bashkisë së Ravanusa-s, Carmelo D’Angelo, duke i shprehur ngushëllime.