Një person ka hapur sot zjarr në fabrikën e Mercedes-Benz në jugperëndim të Gjermanisë duke lënë dy persona të vdekur, njoftuan autoritetet e kompanisë.
Të shtënat ndodhën në Sindelfingen, një qytet afër Shtutgartit. I dyshuari, një person 53-vjeçar, u dërgua në paraburgim, njoftoi zëdhënësi i zyrës së prokurorit të Shtutgartit.
Policia pranoi thirrjen për intervenim rreth orës 07:45 mëngjesin e sotëm sipas kohës lokale, tha zëdhënësja e policisë për agjencinë e lajmeve DPA.
Policia përmes një postimi në Twitter tha se nuk kishte asnjë rrezik të mëtejshëm për punonjësit në fabrikë. Mbetet i paqartë motivi i të dyshuarit.
Mercedes-Benz në një deklaratë tha se dy persona mbetën të vrarë në fabrikën e saj në Sindelfingen dhe tha se ishte “thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi tragjik”.
“Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë kolegët në vend”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Në fabrikën e madhe në Sindelfingen janë të punësuar rreth 35 mijë punëtorë që prodhojnë modelet luksoze të E-Class dhe S-Class dhe coupe CLS dhe GLC, sipas faqes së internetit të kompanisë. Aty ndodhen departamentet e planifikimit, blerjes, zhvillimit dhe projektimit./FolDrejt/