Numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në 193, njoftuan autoritetet më 18 korrik. Ndërkaq, dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Ekziston frika që numri i viktimave do të rritet”, tha policia në rajonin gjerman Rhineland-Palatinate. Në këtë deklaratë të policisë u tha se vetëm në këtë rajon, 670 persona janë lënduar.
Përveç katër shteteve të goditura më së keqi nga përmbytjet – Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – me përmbytje tani po përballen edhe Zvicra, Austria dhe Republika Çeke.
Të paktën 156 persona kanë vdekur në Gjermani, në atë që është përshkruar si përmbytjet më të këqija në historinë e këtij shteti. Ndërkaq, numri i viktimave nga përmbytjet në Belgjikë ka arritur në 27.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel planifikon që ta vizitojë qytetin Shuld më 18 korrik, për të parë dëmet e shkaktuara dhe për të takuar të mbijetuarit. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka vizituar zonat e përmbytura më 17 korrik dhe bëri thirrje për ndihmë dhe donacione për viktimat e përmbytjeve.
Shkalla e fatkeqësisë në Gjermani është bërë më e qartë teksa ushtarët, me makina të blinduara, po pastrojnë rrugët dhe inxhinierët po vlerësojnë se cilat ndërtesa duhet të shemben. Në zona të tjera, zhytësit kontrolluan shtëpitë dhe veturat e përmbytura.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vizituar zonat e përmbytura në Belgjikë dhe ka postuar në Twitter një mesazh ku thuhej: “Evropa është me ju”.
Belgjika ka shpallur 20 korrikun ditë zie për të nderuar viktimat e përmbytjeve.