Politikanët serbë dhe kroatë po rrisin përdorimin e retorikës islamofobike me qëllim që të mundësojnë ndarjen e Bosnjës, shkruan një raport i European Islamophobia Report 2018.
Kjo retorikë të kujton ngjashmëritë me fillim vitet e 90-ta, ku politikanët e atëhershëm jugosllavë sollën vdekjen e qindra-mijërave civilëve. Andaj ky raport shfaq frikën, pasi përpara secilës luftë ka shtim të retorikës agresive, shkruan foldrejt.com.
Shumë politikanë kroatë dhe serbë, një pjesë e tyre me origjinë nga Bosnja, e paraqesin shtetin multi-kulturor si vatër të “islamit radikal”, ndërsa përgjatë një deklarate televizive presidenti Milorad Dodik e paraqiti ezanin si një “ulëritje”, kurse më pas deklaroi se qëllimi i boshnjakëve është që të arrijnë mbi 50 përqind të popullatës dhe të “krijojnë një shtet islamik”. Diçka që nuk do lejohet kurrë nga serbët.
Ngjashëm edhe presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic e paraqiti si rrezik “militantizimin islamik” të Bosnjës, gjatë një takimi që pati në Jeruzalem me politikanët hebrenjt. Ngjashëm, me ndihmën e shërbimit sekret kroat, në fillim 2019, disa persona të pautorizuar kishin tentuar ilegalisht të fusnin armë nëpër xhamitë e Bosnjës, që më pas ta paraqisnin islamin dhe boshnjakët si rrezik për civilizimin europian dhe si pjesë të organizatave terroriste.
Raporti i shkruar nga 39 profesorë dhe ekspertë, tregon se pavarësisht se shumë politikanë përdorin këtë retorikë për përfitime politike, kjo islamofobi mund të rezultojë katastrofike.
Si sebep për ngritjen e kësaj retorike islamofobike, tregohet edhe rritja e popullatës muslimane në Bosnjë. Sipas censuzit të fundit në Bosnjë, gjatë 2013, popullata muslimane përbënte 50.11 përqind, ndjekur nga ortodoksët 31 përqind dhe katolikët 15 përqind. Megjithatë, kroatët dhe serbët vuajnë nga numri i paktë i lindjeve – ku një grua mesatarisht lind rreth 1.45 fëmijë – shumë larg rigjenerimit prej 2.1 fëmijë për nënë./Foldrejt.com