Në opinion publik po qarkullojnë dyshimet se disa prej produkteve bazë, çmimet e të cilave u ngritën furishëm gjatë këtyre ditëve, janë bërë nga vetë bizneset kosovare, pa qenë të ndikuara nga faktorët e jashtëm, duke shkaktuar panik tek qytetarët.
Po qe se vërtetohet një gjë e tillë, ato duhet të dënohen në bazë të ligjit.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Neni 293, pika 2 thotë qartë:
Mashtrimi i blerësve:
2. Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve shpall rrejshëm se është zbritur çmimi i mallit apo se pritet rritja e çmimit të mallit ose në ndonjë mënyrë tjetër përdor haptazi reklamë të rreme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
Fol Drejt qysh dje ka provuar të marr një përgjigje nga disa institucione, për të kuptuar nëse ato janë duke i hetuar rastet, por nuk ka marr përgjigje. Nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Inspektorati, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim nëse këto institucione po merren me këtë çështje.
Megjithatë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.
Ua kujtojmë se pas valës së madhe të reagimeve Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur se Inspektorati i Tregut, gjatë një aksioni ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë. Vetë Kryeministri Albin Kurti, duke e komentuar rritjen e çmimit të vajit tha se ai është më i larti në botë. Nga 1.60 sa ishte para disa ditësh, ai u ngrit në 3.49. Po ashtu, rritje të çmimeve pati edhe për disa produkte të tjera si: miell e naftë.
Për këtë shpërthyen reagimet në rrjetet sociale, ndërsa pati thirrje edhe të atilla për “bojkotim” të mashtruesve.
Deputeti Eman Rrahmani në një reagim në llogarinë e tij në rrjetin social, siguroi se gjërat po vijnë në vend pas reagimit të shtetit:
“Shteti mbylli depot e mashtrimeve, prokuroria do të merret me mashtruesit! Hapi i duhur tash është BOJKOTIMI I MASHTRUESËVE.”
Ndërkohë qytetarë të shumtë akuzuan bizneset, përkatësisht disa operatorë për pandershmëri dhe mashtrim. Përfundimisht, ende nuk dihet nëse edhe tregtarët e naftës, miellit dhe produkteve të tjera, i takojnë të njëjtës kategori: atyre të mashtruesve!/FolDrejt/