Mijëra persona kanë dalë në protesta në disa shtete lindore të Gjermanisë për të protestuar ndaj politikës energjetike të qeverisë dhe sanksioneve kundër Rusisë.
Protestuesit thërrisnin parulla kundër qeverisë së koalicionit të kancelarit Olaf Scholz dhe mbanin pankarta me mesazhet “Ndaloni shpërthimin e çmimeve”, “Ndaloni luftën, ndaloni sanksionet” dhe “Hape Rrjedhën Veriore tani”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas policisë, protestat më të mëdha u zhvilluan në shtetin Thuringia. Afër 24 mijë njerëz thuhet se kanë marrë pjesë në demonstratat në të gjithë shtetin.
Transmetuesi publik ‘MDR’ raportoi se dy demonstratat më të mëdha u zhvilluan në qytetet Gera dhe Altenburg. Policia konfirmoi se protestat ishin paqësore.
Saxony-Anhalt ishte një shtet tjetër që ishte skenë e protestave. Rreth 13 mijë njerëz thuhet se kanë dalë në rrugë atje.
Demonstruesit protestuan kundër kufizimeve të koronavirusit COVID-19, rritjes së çmimeve të energjisë dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) të vendosura ndaj Rusisë.
“Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije. Pa gazin rus, ekonomia jonë do të jetë e vdekur!”, thuhej në një nga pankartat që mbanin demonstruesit.
Sipas policisë, në përgjithësi u regjistruan më pak demonstrata dhe mitingje krahasuar me javën e kaluar, pavarësisht një rritjeje të vogël të numrit të pjesëmarrësve. Një javë më parë, policia në Saxony-Anhalt numëroi deri në 12 mijë protestues.
Gjatë protestave në shtetin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, më shumë se 11 mijë njerëz thuhet se kanë protestuar në rreth 20 vende./FolDrejt/