Klubi i futbollit PSG ka shtuar masat e sigurisë para qendrës stërvitore dhe para shtëpive të lojtarëve të klubit, pas protestës së tifozëve, njoftoi sot agjencia France Press.
Të mërkurën, disa qindra tifozë u mblodhën para ambienteve të klubit të Parisit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me rezultatet, duke fyer disa lojtarë si Marco Verrati, Lionel Messi, Neymar (të lënduar për pjesën tjetër të sezonit), si dhe trajnerin Christophe Galtier.
Të mërkurën rreth orës 20:00, disa u mblodhën para shtëpisë së sulmuesit brazilian Neymar, duke kënduar këngë fyese, tha një nga burimet për AFP.
Të mërkurën në mbrëmje, PSG dënoi “veprimet e patolerueshme dhe ofenduese të një grupi të vogël tifozësh”.
Lojtarët e PSG-së u mposhtën të dielën në shtëpi nga skuadra e Lorientit me rezultat 3:1. Pesë ndeshje para përfundimit të kampionatit francez, PSG është në vendin e parë, ku ka pesë pikë më shumë se Marseja në vendin e dytë, transmeton Fol Drejt.