Përpjekjet e presidentit Joe Biden për ripërtëritjen ekonomike morën një goditje kur dolën shifrat e vendeve të reja të punës të hapur gjatë muajit prill.
Raporti tregonte një rritje modeste me rreth 266 mijë vende të reja pune, gjë që mund të ndërlikojë edhe më tej synimet e presidentit për të miratuar paketën prej 4 trilionë dollarësh investime në infrastrukturë, arsim dhe për fëmijët.
Përmes një reagimi të shpejtë, administrata Bidenit u përpoq të qetësojë shqetësimet lidhur me shifrat e dobëta që tregonte raporti për vendet e reja të punës.
Raporti i përpiluar nga Departamenti i Punës çon në përfundimin se Plani Amerikan i Shpëtimit, një paketë stimuluese prej 1.9 trilion dollarë që u miratua në muajin mars, nuk po arrin të përmbushë premtimin për rigjallërim të shpejtë të ekonomisë.
Duke folur për gazetarët, Biden u përpoq të zbuste shqetësimet në lidhje me raportin.
“Ne e dinim që kjo përpjekje nuk do të ishte sprint por maratonë. Faktikisht, po ecim më shpejt se kisha menduar. Kur dëgjon komentatorët, ju mund të mendoni se duhet të zhgënjehemi. Dua t’ju kujtoj se Plani Amerikan i Shpëtimit u miratua me qëllimin për të pasur efekt gjatë një viti dhe jo për 50 ditë ose 60 ditë. Çdo gjë do të shkojë mirë. Sot, ka më shumë prova që ekonomia jonë po ecën në drejtimin e duhur, por është e qartë se ende kemi shumë punë për të bërë”, tha presidenti Biden.