Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Pekka Haavisto, ka bërë të ditur se vendi i tij është në bisedime urgjente me katër vende baltike për rrjedhjet e gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore’.
Në një konferencë të një komisioni të Bashkimit Evropian (BE) për rajonin e Detit Baltik që u mbajtë në qytetin lindor finlandez Lappeenranta, që ndodhet 30 kilometra afër kufirit rus, ministri Haavisto njoftoi se këtë mëngjes kanë biseduar në telefon me katër qeveri të rajonit të Detit Baltik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Këto janë tema shumë akute dhe një strategji e përbashkët e BE-së ka një rol edhe më të rëndësishëm se kurrë”, tha Haavisto.
Këtë javë u raportuan shpërthime rreth tubacioneve të ‘Rrjedhës Veriore’.
Presidentja e Komisionit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, rrjedhjet i quajti “sabotim”, ndërsa kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se ato ishin “akte të qëllimshme”.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, nga ana e tij, tha se rrjedhjet “ndoshta shënojnë hapin e ardhshëm të përshkallëzimit të situatës në Ukrainë”.
“A ishte sabotim… Nuk e dimë, por ajo tregon se sa të pambrojtur jemi. Shkurtimi i tubacioneve ose lidhjeve të energjisë elektrike na kujton se në çfarë lloj bote po jetojmë. Ne kemi nevojë për një lloj të ri të të menduarit”, tha Haavisto.
“Ne jemi në një realitet krejtësisht të ri dhe perceptimet për Rusinë janë transformuar. Rusia po shkel hapur ligjin ndërkombëtar dhe retorika e saj e rrezikshme për armët bërthamore është e papranueshme. Rusia duhet të mbahet përgjegjës”, shtoi ai./FolDrejt/