Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova e ka përjetuar ndonjëherë, por sipas tij, qeveria po vazhdon vetëm ta vëzhgojë situatën.
“Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, rryma nuk ruhet në frigorifer, por blihet më herët.
“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përball ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”.
Ai tha se në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë.
“Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi”, ka shtuar ai.
Sipas tij edhe pse kishte kohë të mjaftueshme në dispozicion, qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë masë për ngrohje.
“E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë. Familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjve, peletit e lëndëve djegëse me kohë”.
Në shtator, sipas tij, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme, si dhe subvencionime dhe koordinime me institucionet e energjisë.
“Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka përfunduar ai.